24shtator 2015 – Sytë të nxirë, dhëmbë të thyer dhe fraktura në fytyrë. Turisti Gunther Van Eyck thotë se këto janë pasojat e përballjes me pronarin shqiptar të një restoranti në Itali. 42-vjeçari belg, pronar i një kompanie që merret me riparimin e anijeve në Itali, u ka thënë medieve se është rrahur nga një shqiptar në restorantin “Casanova”.

Ngjarja ka ndodhur të martën, rreth orës 14:00, kur Eyck së bashku me bashkëshorten kanë shkuar në restorant për të drekuar. Duket se gjithçka ka nisur me ngatërrimin e porosisë. Gruaja ka kërkuar një biftek me salcë berneze, por kamerieri i ka sjellë një me piper. Eyck ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes, i cili është botuar në mediat italiane.

“Kamerieri pranoi se ka gabuar porosi dhe shkoi të sillte një tjetër. Dhjetë minuta më vonë, na vjen i njëjti biftek, por i pastruar në pjesën e sipërme dhe me një salcë sipër, po jo atë që kishim kërkuar. Ishte një salcë e keqe, e hidhur. Ime shoqe nuk mund ta hante. Atëherë kërkova llogarinë dhe më thanë që kushtonte 28 euro. U thashë se kjo nuk ishte korrekte dhe bifteku që më kishin sjellë nuk ishte ai që kërkoja. Kamerieri u përgjigj se në Venecia ai lloj bifteku quhej me salcë berneze. Unë kundërshtova. Në atë moment, një burrë, që mendoj se ishte pronari, më pa shtrembër.

Mbylle, ule zërin në lokalin tim, më tha.

Unë jam klienti, – i thashë.

Ti nuk e di kush jam unë. Unë jam shqiptar. Dhe mund të ta pres fytin këtu, – më tha duke më bërë me dorë gjestin për këtë veprim. Më pas më gjuajti një grusht të fuqishëm në sy. Rashë përtokë. Erdhën të tjerë dhe më gjuajtën me grushte e shkelma. Nuk e di sa ishin, aq sa zgjati e gjithë kjo histori", përfundon ai. /lapsi.al/