23 shtator 2015 – Ullinjtë më të vjetër në vendin tonë ndodhen në disa nga fshatrat e Shqipërisë së mesme dhe mosha e tyre mund të jetë mijëvjeçare. Sipas specialistëve, përcaktimi i moshës së ullinjve nuk është i thjeshtë dhe ai mund të bëhet vetëm në laboratorë të profilizuar, por mosha e ullinjve që janë marrë në studim disa herë i kalon 1 mijë vjet.

Në përgjithësi zona nga Petrela deri në Krujë është e mbushur me ullinj të vjetër, të cilët mund të shpallen lehtësisht monumente natyrore, të vizitueshme nga turistë vendas dhe të huaj. Ato kanë një diametër prej disa metrash dhe gjatë rritjes shumëshekullore duket qartë edhe zgjerimi me fidanë të lindur pranë rrënjëve të vjetra.

Sipas specialistëve të bujqësisë, pemët e ullirit që ndodhen në fshatin Linzë kanë një pamje shumë të bukur dhe në zgavrën e tyre ka vend për të luajtur apo për t’u fshehur. Tre ullinj të tjerë, mjaft të motshëm, ndodhen gjithashtu në afërsi të kalasë së Petrelës dhe mund të shihen edhe nga kulla e saj. 

Vendi ynë ka një traditë shumë të mirë në kultivimin e ullinjve, të dokumentuar të paktën që nga koha e Skënderbeut. 

/portali DurresLajm/