20shtator 2015 – Si njeriu më i shpejtë në planet, Usain Bolt do të ndihej komod nëse largohej pa paguar faturën e shtrenjtë në një lokal. Medalisti i artë olimpik u largua aksidentalisht nga lokali i natës në Londër “Drama” ku kishte festuar, por harroi se detyrohej 15 mijë dollarë. Sprinteri xhamajkan 29-vjeçar ka qenë në fundjavë në shoqërinë e disa miqve të tij si Deisi Lou apo Lindsei Lohan. Përgjatë mbrëmjes, ai ka bërë edhe DJ. Pavarësisht incidentit, asnjë nga stafi nuk nxitoi të bënte ndonjë denoncim për borxhin e papaguar nga kampioni i trefishtë i botës.

Por kur kujtohet të nesërmen se ishte larguar nga lokali pa paguar, Bolt nuk vonoi dhe u rikthye vetë në lokal për të ndrequr gabimin e bërë një ditë më parë. Një burim i tha të përditshmes britanike “Daily Mirror” se Usain kaloi një darkë të këndshme, duke konsumuar pije të shtrenjta në tryezën e tij, si vodka “Belvedere” apo shampanjë “Dom Perignon”.

“Nuk kishte dyshim që ishte një gabim njerëzor. Që në mëngjes ai u rikthye vetë në lokal dhe kërkoi falje për atë që kishte ndodhur”. Punonjësit e lokalit të natës që ndodhet në “Park Lane” në qendër të Londrës, u befasuan kur panë në mëngjes Boltin përpara lokalit. Për të shmangur çdo skenë, atleti zgjodhi një hyrje tjetër dhe u vuri në dispozicion kartën e tij të kreditit, duke u kërkuar falje nga zemra. Një zëdhënës i klubit deklaroi: “Usain është një djalë i jashtëzakonshëm dhe ne do të dëshironim shumë ta kishim sërish në lokal. Ai është i mirëpritur në çdo kohë”. Në Botërorin e fundit të zhvilluar në Pekin, Bolt fitoi tri medalje të arta në 100, 200 dhe 4×100 metra.

/portali DurresLajm/