18 shtator 2015 – Bujqësia Bio në Ballkan zë vetëm 0,6 % të sipërfaqes totale bujqësore, ose 10-15 herë më e vogël se sa mesatarja e vendeve të BE-së. Nxitja e zhvillimit të bujqësisë biologjike në rajon ka qenë në qendër të vëmendjes së takimit që u zhvillua këto ditë në Sarajevë. Drejtori i Institutit të Bujqësisë BIO në vendin tonë, prof. Enver Isufi, në një intervistë për 'Durrëslajm.com' flet për problematikat, bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen që i jepet zhvillimit të bujqësisë BIO në Shqipëri.
Prof. Isufi, ju morët pjesë në një takim Ballkanik që u zhvillua në Sarajevë për Bujqësinë Biologike, cili ishte objektivi i këtij takimi?
Në datat 8 dhe 9 shtator, 2015 në një zonë malore turistike pranë Sarajevës, e quajtur Jrhorina (që të kujtonte malin e Dajtit) u zhvillua një takim mes vendeve të Ballkanit për nxitjen e zhvillimit të bujqësisë biologjike në vendet e Europës JugLindore (South Eeast Europe-SEE).
Në këtë rajon prej 5 vitesh është ngritur rrjeti SEEON (South East European Organic Netëork). Në këtë rrjet Shqipëria përfaqësohet nga Instituti i Bujqësisë Biologjike, i cili ka edhe një anëtar Bordi në këtë rrjet.Ky aktivitet u organizua dhe u financua nga Bashkëpunimi për Zhvillim Nderkombëtar i Gjermanisë, i njohur me shkurtimet GiZ.
Profesor, ne dëgjojmë termat bujqësia Biologjike, bujqësia Organike, bujqësia Ekologjike. A ka ndryshime mes tyre?
Po, pyetja është e drejtë. Në fakt këto emërtime janë sinonime fjalësh, dhe nuk janë sisteme të ndryshme bujqësie: pra Biologjike, Organike apo Ekologjike janë e njëjta gjë.
Kush mori pjesë në këtë veprimatari?
Morën pjesë aktorë të përfshirë në prodhimin biologjik, si dhe trupat e certifikimit të vendeve të Ballkanit.
Cili ishte thelbi i kësaj veprimtarie?
Në takim u aktualizua gjendja e bujqësisë biologjike në vendet e Ballkanit si dhe u pa mundësia për një projekt të madh ballkanik që do të mbështesë prodhimin, kërkimin, këshillimin dhe marketingun e produkteve biologjike. Në këtë kuadër me rëndësi janë produktet nga Shqipëria, sidomos perimet e hershme, sepse Shqipëria ka klimë mesdhetare, dhe del në treg të paktën një muaj më herët se sa vendet me klimë kontinentale si Serbia, Kroacia, Kosova, Bosnjë-Hercegovina.
Si paraqitet situata e bujqësisë biologjike në Ballkan?
Duke ditur se bujqësia Bio në këtë rajon nuk ka shumë vite që praktikohet, duhet pranuar se Ballkani ka bërë hapa përpara, por krahasuar me vendet e zhvilluara europiane, bujqësia e certifikuar Bio është më e vogël në sipërfaqe dhe volum tregu.
Bujqësia bio në Ballkan zë vetëm 0,6 % të sipërfaqes totale bujqësore ose 10-15 herë më e vogël se sa mesatarja e vendeve të BE-së. Më mirë paraqitet Kroacia ku 3,7 % e sipërfaqes bujqësore menaxhohet me praktikat e standardeve bio, ose organike. Vendet nga fundi i listës renditen Maqedonia, Shqipëria, Mali Zi dhe Kosova ku sipërfaqja Bio zë vetëm 0.12 – 0.4 % të sipërfaqes totale bujqësore.
Po situata në bujqësinë biologjike shqiptare?
Aktualisht nuk paraqitet mirë. Këto 4-5 vitet e fundit ka rënë shumë numri i fermave të certifikuara si ferma Bio. Me largimin e donatorëve ra edhe numri fermave bio. Mbështetja nga shteti ka munguar. Kemi shpresuar në vitin 2015 për një lëvizje pozitive, por kjo nuk ndodhi. Kemi angazhime nga Ministria e Bujqësisë, se për vitin 2016 skemat e subvencionit për fermat Bio do të përmirësohen. Të shikojmë e të shpresojmë. Para pak viteve ne eksportonim më shumë vaj ulliri, erëza të freskëta kuzhine, bimë mjekësore, etj., por volumi i eksportit ka rënë.
Kjo veprimtari e Sarajevës a dha shpresa për mbështetjen e këtij sektori?
Po, është ngritur grupi i punës për hartimin e projektit dhe shpresoj që brenda këtij viti do kemi draftin e parë. Projekti mendohet të fillojë në vitin 2016.
Në lidhje me rajonin, cilat janë pengesat që Bio nuk funksionon?
Ka dalë si detyrë që mes Ministrive të Bujqësisë të rajonit të realizohen takime për të hequr pengesat ligjore, pengesat doganore dhe unifikimin e standardit Bio me qëllim që trupat e certifikimit të rajonit të operojnë me një standard unik. Kjo kërkon pak kohë deri sa të harmonizohen këto rregulla dhe deri sa të ketë mirëbesim mes vendeve për cilësinë e produkteve. Fryma e përgjithëshme për paqëtimin e Ballkanit e favorizon këtë veprimtari.
/portali DurresLajm/





