18 shtator 2015 – Orialda Kajtazi është rikthyer në shtëpi pas 62 ditësh. Gjykata e Apelit e ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”. Gjatë kësaj kohe vajza ka mundur të rivendosë lidhjen me familjen, me të cilën u armiqësua pasi dogji shtëpinë dhe vodhi kursimet e prindërve së bashku me motrën e saj 14-vjeçare.

Vajza që u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë për arratisjen e saj spektakolare, sot u kërkon falje prindërve dhe motrës së saj të madhe për të gjitha shqetësimet që u kanë krijuar ajo bashkë me të voglën, Klevisën. Gjithçka që bëri e konsideron si një lajthitje të moshës dhe 18-vjeçarja kërkon t’i hedhë pas krahëve. Në një intervistë për “Panoramën” Orialda rrëfen momentet që kur u arratis e deri te ditët në burg. 

Orialda, rikthimi në shtëpi pas plot 62 ditësh. Si ndiheni?

Ndihem shumë mirë që ndodhem në shtëpi dhe pranë prindërve të mi. Unë kisha shumë dëshirë të kthehesha në shtëpi, pasi e kuptova menjëherë se kisha vepruar gabim.

Unë dua t’u kërkoj prindërve në radhë të parë të falur për veprimet e mia të nxituara, si dhe të gjithë personave që mund t’u kem shkaktuar bezdisje apo shqetësime.

Gjatë masës së sigurisë ju nuk pranuat të ktheheshit në shtëpi dhe së bashku me Klevisën (motra e vogël) mbajtët qëndrim kundrejt prindërve dhe motrës së madhe. Çfarë ju bëri të ndryshonit mendim apo qëndrim?

Rreth 4-5 orë pasi gjykata dha vendimin dhe unë mbërrita në ambientet e burgut të grave në Tiranë, kuptova se kisha gabuar rëndë dhe i kisha fajësuar prindërit pa arsye.

Unë i mora në telefon dhe u kërkova falje. Ndikuan edhe vajzat që gjeta në burg, punonjëset e administratës si dhe drejtori i burgut, të cilët u treguan shumë të mirë dhe më bën të reflektoja shumë shpejt dhe të kuptoja gabimin që kisha bërë.

Pse vepruat në atë mënyrë dhe ku e gjetët guximin për t’u larguar nga shtëpia në mes të natës me motrën e vogël 14 vjeçe?

Mund të them se ishte veprim i gabuar dhe tani që e mendoj nuk do ta bëj sërish, pavarësisht kushteve në të cilat mund të ndodhem.

Çfarë ndodhi atë natë?

Prindërit ikën në Tiranë dhe ne dolëm rreth orës 23:00 nga shtëpia. Rrugës kur po zbrisnim rastisi një taksi, e cila na çoi deri afër një hoteli në Durrës.

Po më pas si vepruat?

Qëndruam për tri ditë në hotel në Durrës dhe më pas u larguam për në Vlorë, ku qëndruam deri në momentin që na kapi policia.

Si ju pranuan në hotel, ndërkohë që asnjëra nga ju nuk ishte në moshë madhore?

Dorëzuam kartën e identitetit të motrës së madhe, Alketës.

Nuk na doli asnjë problem, as në Durrës dhe as në Vlorë. Nuk kanë faj, sepse ngjaj fizikisht me motrën e madhe.

Si e kalonit kohën kur ndodheshit në arrati?

Thuajse nuk dilnim shumë shpesh. Qëndronim më shumë në ambientet që kishim marrë me qira dhe dilnim gjatë mbrëmjes për t’u furnizuar në market.

Edhe ndonjë kafe, por nuk rrinim gjatë dhe ktheheshim.

 

Gjithashtu Orialda ka komentuar edhe mbi videot e famshme që u hodhën nga ato vetë në YouTube, ku ofenduan jo vetëm familjen por edhe mbarë fisin. I ka cilësuar si një moment budallallëku dhe sapo ishte arrestuar kishte dashur që t’i fshinte por ishte e pamundur, pasi policia i sekuestroi celularët. Ajo u kërkon falje të gjithë atyre që kanë përmendur në video dhe shtoi se do të përpiqet që së shpejti të kthejë në shtëpi dhe Klevisën. 

/portali DurresLajm/