16shtator 2015 – “Rikthimin” e Enver Hoxhës në Pezë, PD-ja e quajti si provokim nga Edi Rama. “Rama nxiti sërish sot ndasi e konflikt social, duke provokuar shoqërinë me nderimin që i bëri diktatorit Hoxha dhe shpurës tjetër komuniste të regjimit kriminal, që vranë, internuan, dënuan pa gjyq, zhdukën të drejtat elementare të njeriut, dhe sollën krizën e urisë për 45 vite në Shqipëri.
Përmes pinjollit të tij në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama organizoi një aktivitet shtetëror me fotot e enverit e nexhmies në Pezë, kësaj radhe me akt edhe më agresiv duke i vendosur ato në vendin e nderit. Edhe më e rëndë është kjo ngjarje, kur të tilla manifestime bëhen me paratë e taksave të qytetarëve”, u shpreh në emër të PD-së, Edi Paloka. Ndërkohë, i kërkohet Ramës “të heqë dorë nga këto provokime me diktatorin, regjimin e të cilit mijëra shqiptarë e kanë paguar me gjak e me jetën e tyre. Në të kundërt, paralajmërohet përgjigjja ndaj Ramës, si e idhullit të tij”.
Në deklaratën e PD-së, të bën përshtypje se në çdo vend, emri i diktatorit dhe bashkëshortes së tij janë shkruar me të vogla, jo rastësisht.
/portali DurresLajm/