16 shtator 2015 – Me moton “Antidroga, një histori suksesi”, Policia e Shtetit, në prani të ministrit të Brendshëm, kryeministrit Rama dhe ambasadorëve të huaj, publikoi rezultatet e aksionit mbarëkombëtar kundër lëndëve narkotike. 

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se ka ikur koha kur pushteti bënte sehir, ndërkohë që koha kur lulëzonte droga është e largët. Duke pasqyruar dhe shifrat e zbulimit dhe shkatërrimit të lëndëve narkotike, Tahiri thotë se ato rezultojnë të jenë 8 herë më të ulëta se në kohën e Berishës.

“Unë mendoj që është lajm më i mirë kur shkatërrohet drogë, sesa lajmi kur droga ujitej me autobotet e zjarrfikëses. Ne kemi zgjedhur një tjetër rrrugë, për këtë janë statistikat e partnerëve tanë italianë dhe të Policisë së Shtetit që mund të verifikohen në çdo kohë.

Në vitin 2013, kur PD-ja ishte në pushtet janë 323 hektarë hashash të identifikuara nga fotografimi ajror i Guardia di Finanza, nga këto u shkatërruan 7.5 për qind e parcelave.

Në 2015-n, 44 hektarë janë identifikuar nga Guardia di Finanza, 8 herë më pak drogë sesa në vitin 2013. Nga kjo sipërfaqe policia ka shkatërruar 99.2 për qind të sipërfaqeve të identifikuara.

Që nga shtatori i 2013-s, 94.7 për qind më shumë drogë janë shkatërruar sesa 8 vitet e qeverisë së kaluar mbledhur së bashku. Të gjitha këto nuk janë trillim. Edhe numri i autorëve të vendosur para ligjit është më i madh sesa numri i atyre në 8 vite të PD-së”, deklaroi Tahiri.  

/portali DurresLajm/