15 shtator 2015 – Gjatë dy javëve të para të muajit shtator, mbi 50 mijë udhëtarë kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga Durrësi drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali) dhe anasjellas. Ditët e fundit ka përfunduar lundrimi i trageteve shtesë, ndërsa numri i udhëtarëve ka rënë ndjeshëm.

Pjesa më e madhe e udhëtarëve, afro 40 mijë, kryesisht shqiptarë që kaluan pushimet verore pranë familjeve janë nisur me tragete nga Durrësi drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë.

Gjatë periudhës 1-14 shtator të këtij viti tragetet kanë transportuar në largim nga Durrësi edhe 7117 autovetura dhe 1141 kamionë dhe trajlerë. Ndërkaq, tragetet janë shfrytëzuar nga 10.430 udhëtarë të tjerë, që mbërritën në Durrës me 2130 autovetura, si dhe nga 1197 kamionë dhe trajlerë.

Fluksi i mjeteve dhe udhëtarëve është përballuar nga 49 tragete në nisje dhe mbërritje. Gjatë muajit gusht, që përkon me pushimet verore, mbi 246 mijë udhëtarë shqiptarë dhe të huaj kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga Durrësi dhe anasjellas.

/portali DurresLajm/