14 shtator 2015 – Pas akuzave të një dite më parë nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha, se Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit po keqpërdorin Thesarin e Shtetit për të financuar LSI-në, ka reaguar dhe ministri Lefter Koka duke i përgenjshtruar akuzat e demokratit.
Sipas Berishës, nga Thesari i Shtetit, pas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, kanë kaluar pagesat në llogari të Lëvizjes Socialiste për Integrim me përshkrimin “Min. Mjedisit kuotë partie gusht 2015”, veprim i cili është bërë edhe gjatë muajve të tjerë të këtij viti.
“Duket se ne kete vend institucioni shteteror eshte bere anetar i LSI dhe si i tille paguan kuotizacion, ndersa Thesari i Shtetit kthehet ne llogaritar te LSI
Ky eshte shembull i keqperdorimit me ekstrem i institucioneve publike qe kthehen ne leva partie ne kundershtim me dispozitat ligjore. I bej thirrje prokurorise se shtetit te hetoje me perparesi kete skandal te paprecedent, ne te cilin duart e zeza te partise, kovat e saj mbushen direkt ne kundeshtim flagrant me cdo ligj nga Thesari i Shtetit duke shnderruar ate ne thesar te parties”, shkruante Berisha.
Por, nëpërmjet një statusi në Facebook, ministri Koka dëshiron të sqarojë opinionin publik dhe mbi të gjitha vetë Berishën, se ai çdo muaj transferon 5.000 lekë pranë llogarisë bankare të LSI-së në formën e kuotës së antëarësisë në parti.
Koka tregon se ka zgjedhur që transaksioni i pagesës të kryhet direkt nga Dega e Thesarit, duke i reduktuar pjesën e pagës që po kjo Degë Thesari i transferon në llogarinë e tij personale, në një bankë të nivelit të dytë. Kjo është bërë për arsye transparence, në mënyrë që si Berisha dhe kushdo tjetër, të mund të shohë se ministri i paguan kuotat e anëtarësisë në parti.
Reagimi i plotë i ministrit Lefter Koka:
“Të dashur miq,
Pa dashur të humb kohën tuaj të çmuar në këtë fillim jave, se të gjithë jemi të zënë me punë, por më shumë për të sqaruar pensionistët politikë që i kanë lënë të papunë në këtë sezon, sqaroj se:
Anëtarët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Kryesia e saj, Deputetët dhe Ministrat e respektojnë detyrimin statuor, por edhe moral për kontributin vullnetar pranë partisë në të cilën aderojmë.
Unë, vullnetarisht, nga paga ime mujore, transferoj 5.000 Lekë pranë llogarisë bankare të LSI në formën e kuotës së antarësisë në parti. Më normale dhe korrekte se kjo nuk ka ku të shkojë, për një anëtar partie.
Në mënyrë që t’i jap mundësinë edhe z. Berisha dhe kujtdo tjetër ta shohë që unë i paguaj kuotat e anëtarësisë në parti, kam zgjedhur që transaksioni i pagesës të kryhet direkt nga Dega e Thesarit, duke më reduktuar pjesën e pagës që po kjo Degë Thesari më transferon në llogarinë time personale, në një bankë të nivelit të dytë.
Edhe pensionisti në fjalë, që nuk pushon as të dielave pasdreke, deri në vitet ’90 e paguante rregullisht kuotën mujore rreth 20 Lekë apo aty afër më duket, pranë partisë në të cilën militonte me devotshmëri, si gjithmonë vullnetarisht, me korrektesë të plotë dhe pa shkelur afatet e pagesës. Dhe mirë e bënte, se të paguash kuotën është detyrimi minimal i një anëtari partie.
Tashmë nuk di se c’bën, paguan apo nuk paguan kuotë partie, është apo nuk është në parti, por kjo mbetet një cështje personale e tij dhe aspak e imja!
Ju uroj një javë të mbarë dhe të frytshme”
/portali DurresLajm/