11 shtator 2015 – Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka paralajmëruar arrestime të zyrtarëve të lartë.
Deklaratën, Llalla e bëri duke iu përgjigjur interesit të mediave pas një takimi që mbajti me Njësinë Antikorrupsion në Tiranë.
Prokurori i Përgjithshëm, Llalla, ka vendosur fuqizimin me kapacitete njerëzore të Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, si një mënyrë për të përballuar fluksin e madh të procedimeve penale në këtë strukturë.
Aktualisht, kjo njësi, e cila prej ditës së sotme do të përbëhet nga 5 prokurorë, numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen veprimet procedurale sa i përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese.
Po ashtu, në mbështetje të kësaj njësie, tashmë do të jetë i atashuar me kohë të plotë edhe një ekspert i misionit “OPDAT” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të ofrojë ekspertizën e drejtpërdrejtë mbi çështjet e kriminalitetit ndërkombëtar, si edhe hetimit pasuror.
/portali DurresLajm/