10 shtator 2015 –  Të mërkurën, më 9 shtator 2015, ora 18:00, në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Qarkut, u zhvillua mbledhja e këshillit të bashkisë së madhe të Durrësit, e para pas asaj të konstituimit të 3 gushtit 2015. Kishte një pjesëmarrje të plotë. Mungonte kryetari i bashkisë, i zgjedhur për herë të tretë, Vangjush Dako, i cili përfaqësohej nga zëvendësi i tij, Arbër Braho i LSI-së. Por nuk ishte e nevojshme prania e Dakos apo ndërhyrja e Brahos, thjesht pasi ishte i vogël numri i projektvendimeve dhe kështu kjo mbledhje përfundoi shpejt dhe pa ndonjë përplasje midis opozitës së djathtë dhe shumicës së koalicionit. Opozita bëri disa pyetje për numrin e punonjësve në organikë, taksat e etj., për të cilat u përgjigjën drejtorja e burimeve njerëzore Drita Zeneli, drejtorja e taksave dhe tarifave vendore Juliana Reso dhe drejtorja ekonomike Drita Alikaj.

Nisur nga fakti që shumica e këshilltarëve të të dy krahëve të politikës janë të rinj, kryetari i grupit të këshilltarëve të opozitës Armand Teliti propozoi që atyre t’u shpërndahet rregullorja e këshillit bashkiak, gjë që u mirëprit nga kryetari i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj dhe zëvendëskryetari i bashkisë Arbër Braho.

U miratuan: mandati i këshilltarit të PD-së Ardian Muka, që mungoi në mbledhjen e konstituimit; disa shtesa dhe ndryshime në vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 178 datë 29.01.2014 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit”, i ndryshuar; numri i punonjësve të Bashkisë, institucioneve në vartësi dhe të njësive administrative; fondi shtesë për pagesën e 6 anëtarëve të këshillit bashkiak (nga 45 në 51) nga fondi rezervë i vitit 2015; krijimi  i 11 komisioneve të përhershme pranë këshillit bashkiak, ku kryesimi i tyre iu la 6 shumicës dhe 5 opozitës; ndryshimi i destinacionit të fondit prej 300 000 lekësh në buxhetin e Klubit të Futbollit “Teuta” për blerjen e një lavatriçeje industriale me kërkesën e vet klubit.

/portali DurresLajm/