9 shtator 2015 –  Tani bashkisë së madhe të Durrësit i shtohen 120 punonjës: nga 990 aktualisht në qendër në 1 110 gjithsej, duke bashkuar administratat e ish-komuna dhe bashkive, por duke shkurtuar funksionet / pozicionet e nënkryetarit, sekretarit të Këshillit etj. që nuk ekzistojnë më.

ORGANIKA E BASHKISË SË MADHE

Në administratë, ndërmarrje dhe institucione në varësi në qendër     990 punonjës

Në njësinë administrative                                                         Sukth   25 punonjës

Në njësinë administrative                                                          Ishёm  19 punonjës

Në njësinë administrative                                                 Katund i Ri    9 punonjës

Në njësinë administrative                                                   Rrashbull   45 punonjës

Në njësinë administrative                                                       Manёz    22 punonjës

Numri gjithsej i punonjësve                               bashkia Durrës 1 110 punonjës

KËSHILLTARËT E PD-SË: PSE NË RRASHBULLIN [E PD-SË] KA PASUR 5 SHOFERË?!

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të 9 shtatorit 2015 u kalua për miratim edhe projektvendimi “Për miratimin e numrit të punonjësve të Bashkisë Durrës, institucioneve në varësi dhe të njësive administrative”. Nga opozita pati pyetje pse në njësinë administrative ish-komuna Rrashbull, kishte 5 shoferë; pse në Katund të Ri…, pse në Sukth… Manëz, që para 21 qershorit 2015 drejtoheshin nga PD-ja. Thjesht këshilltarët blu janë të rinj dhe nuk e dinë së çfarë kanë bërë njerëzit e tyre në ish-komuna dhe bashki. Megjithatë në relacionin me shkrim të Kryetarit të Bashkisë Vangjush Dako dhe shpjegimet e drejtores së burimeve njerëzore Drita Zeneli u fol për një strukturë të përkohshme deri më 31 dhjetor 2015.

STRUKTURË PROVIZORE

Kjo kërkesë për miratimin e numrit të përgjithshëm të punonjësve të Bashkisë Durres, bëhet në një situatë krejt të veçantë, në momentin pas konstituimit të strukturave të reja drejtuese të bashkisë të dala nga zgjedhjet e 21 qershorit 2015, të realizuara në bazë të ndarjes së re administrativo-territoriale. Bazuar në Ligjin nr. 30/2015, miratimi i numrit të përgjithshëm të punonjësve është e drejta e këshillit të bashkisë, ndërkohë që pas dhënies së këtij miratimi, miratimi i strukturës së Bashkisë është e drejta e kryetarit të bashkisë. Nga ana e administratës së Bashkisë është punuar për hartimin e strukturës së re të bashkisë përfshirë edhe njësitë administrative. Kjo strukturë do të jetë një “strukturë provizore” që do të funksionojë deri në mbyllje të vitit kalendarik 2015. Më tej do të punohet me një grup pune që do të ngrihet posaçërisht për këtë çështje, për hartimin dhe miratimin e strukturës së Bashkisë për vitin 2016 dhe në vazhdim, thotë kryebashkiaku Vangjush Dako në relacionin e tij. Në propozimin për numrin e përgjithshëm prej 990 punonjësish në Bashkinë Qendër Durrës, numër i cili përfshin strukturën e Bashkise Durrës si dhe strukturat e njësive vartëse, si dhe strukturat e njësive administrative Sukth me 25 punonjës, Ishëm me 19 punonjës, Katund i Ri me 9 punonjës, Rrashbull me 45 punonjës dhe Manëz me 22 punonjës, numri total i punonjësve të Bashkisë Durrës, njësive në vartësi dhe njësive administrative bëhet 1 110 veta.

KRITERET

Në këtë propozim është marrë në konsideratë një “strukturë provizore “ që do të bëjë të mundur sigurimin e vazhdimësisë së menjëhershme të funksionimit të administratës së Bashkisë përfshirë edhe njësitë administrative; sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve në qendrën e Bashkisë dhe në njësitë administrative.

Për hartimin e strukturës provizore të Bashkisë është bërë një punë përgatitore në bashkëpunim me projektin STAR dhe me Agjencinë për Zbatimin e Reformës Territoriale, të cilët asistojnë në procesin e sigurimit të vazhdimësisë së funksioneve dhe gjithashtu sigurojnë edhe mbështetjen financiare të nevojshme për vështirësitë që ndeshen në proces. Kriteret mbi të cilat është hartuar kjo strukturë janë struktura e qendrës së bashkisë është po ajo e ish-bashkisë qendër; strukturat e njësive administrative janë rishikim / reduktim i strukturave të ish-komunave në bazë të një studimi të detajuar për secilën prej tyre, bazuar në kritere, por edhe në specifikat e çdo njësie administrative.

KUSH SHKURTOHEN

Shkurtohen pozicionet për funksionet që nuk ekzistojnë më tek këto njësi si p.sh, nënkryetari, sekretari i Këshillit, shoferi i kryetarit, punonjësit e financave, policia komunale, etj.

KUSH QËNROJNË

Qëndrojnë pozicionet për të gjitha funksionet që janë kryer nga ish-komunat dhe që do të vazhdojnë të kryhen nga njësitë administrative; pozicionet për punonjësit për shërbimet që ofrohen në njësinë administrative (punonjës pastrimi, roja, etj); pozicionet për atë që konsiderohet si “memorja institucionale” si punonjës arkivi, etj.;  qëndrojnë pozicionet për shërbimet specifike të njësisë administrative (bujqësi, blegtori, etj.)

DO TË TESTOHEN

Miratimi i numrit të punonjësve nga Këshilli bashkiak dhe e strukturës organizative nga kryetari i bashkisë, do të vijojë me emërimin e punonjësve në bazë të strukturës së re dhe do të sigurojë vazhdimësinë normale të administratës së institucionit si dhe të shërbimeve ndaj qytetarëve. Më tej, gjatë periudhës shtator-dhjetor, jo vetëm do të testohet kjo strukturë provizore, por edhe do të diskutohet së bashku me një grup pune për organizimin më të mirë që do të mund të sigurojë funksionimin e bashkisë duke filluar nga viti 2016 e në vazhdim, shkruan Dako.

/portali “DurresLajm”/