8 shtator 2015 –  Diskutimet në mbledhjen e sotme të komisionit të përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut kanë pasur në qendër Durrësin. Jo thjesht se nga 3 pikat e rendit të ditës, një i kushtohej posaçërisht qytetit bregdetar (projektligji “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (MULTI BUOY MOORING)”).

“Sherr” ka bërë deputeti i qarkut të Durrësit, ish-“i plotfuqishëm” i PD-së në fushatën zgjedhore të 21 qershorit në Kavajë, Eduart Halimi (në komisionin e ligjeve qarku i Durrësit ka tre përfaqësues dhe të tre të PD-së: Oerd Bylykbashi, Eduart Halimi, Gent Strazimiri). Meqë ishin të pranishme mediet e kamerat, teksa po diskutohej projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas dhe projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Huamarrësi”, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim, “Agjencia e zbatimit të projektit”,dhe KFË Frankfurt AM MAIN, “KFË”, për shumën 24 milionë euro “Ujësjellësi Rural III”’, Halimi deklaroi:

“Në qoftë se paratë publike të qytetarëve shqiptarë të buxhetit në Durrës dhe Kavajë, po marr dy njësi, nuk do të kishin shkuar për të ndërtuar ato shatërvanë qesharakë në qendër të qyteteve, të cilat ditën e inaugurimit, qoftë në Durrës qoftë në Kavajë, u furnizuan me bote uji, Kavaja ndoshta do të kishte ujë. Paratë e qytetarëve shqiptarë të buxhetit, që do t’i menaxhojnë sërish këta, shkuan për investime fasadë për zgjedhje, po e po po, për investime fasadë, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm”.

Info

Programi rural III është faza e tretë e investimeve në zonat rurale për ujësjellësin. Ka pasur dy faza te mëparshme që kanë qenë më tepër si projekt pilot, janë fokusuar në disa zona të varfra. Projekti që vjen përfshin gjithë Shqipërinë për ujësjellësin rural dhe është gjithëpërfshirës dhe me impakt më të lartë. Parashikohet që projekti të furnizoje me ujë rreth 70.000 banorë në zonat rurale të Shqipërisë, me rreth 17.000 skema ujësjellësish. Ky është parashikimi i projektit. Me ndryshimet e reja administrative është një sfidë pasi në këtë fazë do të jenë si partnerë të projektit bashkitë e reja të krijuara, pra përzierja e investimeve dhe e projektit ku do të financohet, që është një fazë e rëndësishme paraprake, do të bëhet në bashkëpunim me pushtetin e ri vendor.

Projekti pritet të realizohet në 5 vjet

/portali DurresLajm/