· Pa “shtëpi” parlamenti i qytetit nr. 2 të Shqipërisë, sërish “bujtës” në Këshillin e Qarkut
8 shtator 2015 – Pas ceremonisë së konstituimit të këshillit të ri bashkiak më 3 gusht 2015, ky i fundit do të zhvillojë mbledhjen e shtatorit. Për shkak se salla e “parlamentit” të qytetit nr. 2 të Shqipërisë para zgjedhjeve të 21 qershorit kishte vende për 45 këshilltarë, tani nuk i merr dot 51 “baballarët” e bashkisë së madhe. Salla do të rikonstruktohet plotësisht, por tani nuk ka fonde, pasi në projektbuxhetin e vitit 2015 nuk ishte parashikuar ky zgjerim i këshillit.
Kështu, të mërkurën, më 9 shtator 2015, ora 18.00, mbledhja e këshillit bashkiak do të zhvillohet sërish në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Qarkut. Rendi i ditës është “modest” me 6 projektvendime, përfshirë dhe atë për miratimin e mandatit të këshilltarit Ardian Muka të PD-së, që nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e konstituimit.
RENDI I DITËS
“Për miratimin e numrit të punonjësve të bashkisë, institucioneve në vartësi dhe njësive administrative”.
“Për shqyrtimin dhe miratimin e fondit shtesë për pagesën e anëtarëve të këshillit bashkiak që shtohen si rrjedhoje e ligjit 30/2015 për vitin 2015”.
“Për krijimin e komisioneve të përhershme pranë Këshillit bashkiak Durrës”.
“Për miratimin e ndryshimit të destinacionit të fondit prej 300 000 lekë në buxhetin e klubit të futbollit “Teuta”.
“Për miratimin e mandatit të këshilltarit z.Ardian Muka”.
Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 178 datë 29.01.2014 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit”, i ndryshuar.
/portali DurresLajm/