8 shtator 2015 – Kryeministri Edi Rama nuk mban më, por ka shpërthyer duke iu drejtuar me një gjuhë tepër të ashpër dhe të pazakontë ministrave të kabinetit të tij. “Neësbomb.al” ka publikuar sot një e-mail, që sipas këtij portali është nisur nga adresa e kryeministrit në drejtim vetëm të ministrave të Partisë Socialiste, në mars të këtij viti, ku shkruhet se ata janë bërë arrogantë, e me arrogancën e tyre po qeshin dhe ambasadorët.
Edi Rama, duke shkruar e-mailin, thotë se ministrat kanë humbur kontaktet me bazën dhe me deputetët, dhe orëve të para të entuziazmit të qeverisjes, ua kanë lënë vendin pasditet “turkoshake” të kafeve, drekave e darkave të gjata.
Në e-mailin e vet, Rama i paralajmëron ministrat, se ky është një S.O.S dhe jo një sosje e durimit të tij. Nëse ata nuk ndryshojnë sjelljen, atëherë do të duhet të përgatiten që të lënë anijen.
Qysh në fillim të kësaj aventure të përbashkët dhe në vijim ju kam folur mbase jo aq shpesh sa është dashur, për rrezikun numër 1 që na kërcënon ecurinë e punës sonë; ARROGANCËN. Dhe jam munduar, mbase aq sa ka qenë e mjaftueshme, t’ju sensibilizoj lidhur me faktin se e kundërta e ARROGANCËS, modestia; në sjellje dhe sforcoja për të qenë të begenisur me këdo, duke filluar nga marrëdhëniet me njëritjetrin, pastaj me deputetët më tutje, jo për nga rëndësia, me njërëzit e cdo kategorie, është arma e pazëvëndësueshme dhe në luftën e jashtëzakonshme me vështirësitë e këtij vendi, me mërzinë, lodhjen e stresin e njerëzve…
Konstatoj me shqetësim, një shqetësim që ndjej se po kthehet në hidhërim, se po marrim pak nga pak po në mënyrë të pandalshme tiparin e një pushteti arrogant në sjelljen me Tjetrin; e një pushteti njerëzish që po i dorëzohen lehtësisë së reagimit ndaj vështirësive duke e shprehur këtë dorëzim në formën e vet primare që është ARROGANCA, mosvëmendja, paraqendeja, nervozizmi dhe rrjedhja e lirë e marrëdhënieve me Tjetrin, e një pushteti që fatalisht po merr trajtën turkoshake në sjelljen e njerëzve të vet me përfaqësues që jeni ju, secili ju!
Arrogantë me njeri- tjetrin në të gjitha format e shprehjes së këtij tipari gërryes për pushtetin. Arrogantë me deputetët që janë kush janë dhe si janë, janë baza e pazëvendësueshme për të ngritur punën tonë të përditshme dhe për të realizuar objektivat afatshkrutra, afatmesme dhe afatgjata.
Arrogantë me miletin, përmbledhur në këtë koncept të gjithë pa përjashtim e pa ndryshim kategorish..
Reflektimi i kësaj arrogance ndjehet në raportin me detyrën fatkeqësisht, detyrë qënuk bëhet me pasionin e me këmbënguljen e orëve të parë, po gjithnjë e më shumë me rehatllëkun e orëve të pasdites turke, një lloj zhegu ku kanë filluar të dëgjohen gërrhitje të rehatshme nën zhurmën e mizave.
Ndjehet reflektimi i kësaj arrogance në raportin gjithnjë e më turkoshak me kohën, ku stresit e pagjumësitë së fillimit ia kanë lënë vendin limontia rraskapitëse e lodhjes prej kotësive, drekave, darkave, muhabeteve dhe, ruajna zot, vëmendjes së shtuar për interest e vogla.
A ju ka munduar ndonjëherë pyetja se çbëhet në zyrat e tjera të ministrive ku hyni dhe takoni po ata tre- katër vetë, të cilët janë jashbtë prezencës suaj jo lidershipi po gjeneratori më i fuqishëm i arrogancës dhe idiotësisë së verbër të vetëkënaqësisë prej të qenit njerëzit e besuar të ministrit a ministres?
Po pyetja se ç’bëhet më tej, në godinat jashtë barkut të pallatit të pushtetit tuaj, ku horrllëku në sjellje dhe gërryerja e gjithandejme e pushtetit tonë vijon përditë, çdo orë, në çdo raport pune dhe mbi çdo punë për tu bërë e për tu raportuar?
Kë pyesni ju, nëse pyesni, për mënyrën se si ju shohin të tjerët dhe se si dukeni në kryerjen e detyrës suaj. Pyesni ata që ju gjenden rrotull sa nga meraku i paditur i të afërmve të përhershëm e sa nga interesi i strukturuar në skuthllëkun e afrimitetit konjuktural dhe me të cilët merrni nëpër gojë të tjerët, duke filluar nga njeri- tjetrin, duke dhënë mendime të lira e të habitshme në peshën e tyre negative që pastaj marrin dhenë nëpër Shqipëri? Apo pyesni ata që punojnë me ju të cilët janë më të parët që ju bëjnë copë dhe shpesh me të drejtë, kur u qëllon të flasin për mënyrën e drejtimit tuaj në rrethe të ndryshme?
Por më e keqja e të këqijave, që kjo arrogancë merr trajta të turpshme nën ju, përgjatë linjave të piramidës ku shkon duke u zgjeruar baza e sundimit ottoman të arrogancës së pushtetit të vogël të njerëzve të vegjël mbi të tjetër pa dallim.
E pra mësojeni përpara se të bëhet vonë sepse së shpejti do jetë vonë, që unë nuk bashkëjetoj dot me këtë situatë dhe nuk i honeps dot më reflekset e sjelljeve tuaja mbi njerëzit, që nga shqiptarët e deri tek ndërkombëtarët që kanë nisur të bëjnë humor me ARROGANCEN tuaj! Dhe nuk i honeps dot më as që porositë e mia në këtë drejtim të merren si pjesë e mërzitshme e të qenit në një klasë ku fjalët e zyshës i merr era.
Me siguri që secili apo secila prej jush thotë me vete tani po me mua c’ka ky që më ka futur në letërmarrësit e këtij mesazhi(?), por përpara se të gjeni veten në këto radhe mundohuni të gjeni thelbin e këtij shqetësimi shumë serioz që afekton imazhin, sjelljen dhe performancën e skuadrës sonë, sepse unë nuk shoh asnjërin prej jush si një individ e aq, por secilin prej jush si një lojtar të një skuadre që e kam zgjedhur për të ndryshuar Shqipërinë, duke filluar nga ndryshimi i kulturës së drejtimit, i sjelljes në drejtim, i seriozitetit për gjërat e ‘vogla’ që në fakt janë gurët e themelit për të bërë të mëdhatë!
Nuk pres përgjigje, por reflektim të thellë përmes një ndryshimi radikal të sjelljes dhe një pastrami të samëshpejtshëm të pasqyrës ku po deformohet dita-ditës profile I qeverisë sonë si rezultat I rënies në batakun e vetëmjaftueshmërisë idiore që I mbyt qeveritë nga brenda; nga brenda zemrtës së cdo ministri; nga brenda trurit të cdo pjesëtari të ekuipazhit drejtimhumbur; nga brenda kabinave të institucioneve që vuajnë peshën e ujit të future në zemër e në tru për së pari! Merreni këtë mesazh si një S.O.S, jo si një sosje të durimit tij prej ndonjë e disa arsyeve të pathëna më lart sepse të tilla Ju siguroj që nuk ka.
Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush, o mbyteni, o përgatituni për të lënë anijen!!!
/portali DurresLajm/