1 shtator 2015 –  Normat e navllonit (marrja me qira e anijes) për transportin e kontejnerëve nga portet në Azi në pjesën veriore të Evropës kanë rënë me 26.7 për qind, duke arritur në 469 dollarë për kontejnerë 20-këmbë (TEU) ditët e fundit, i tha Reuters-it një burim nga  Shanghai Containerized Freight Index. Kjo ishte e treta javë rresht që bien normat e navllonit në linjën më të ngarkuar në botë të anijeve të mallrave dhe tashmë normat janë gati 60 për qind më të ulëta se tri javë më parë.

Normat e navllonit në linjën detare më të ngarkuar në botë të anijeve të mallrave kanë pësuar ulje këtë vit për shkak të mbikapacitetit në anijet në dispozicion dhe kërkesës të amullt për mallra që duheshin transportuar. Normat  e navllonit në përgjithësi konsiderohen fitimprurëse për kompanitë e lundrimit kur për një rrugë ato janë në rreth 800 dollarë – 1 000 dollarë për një TEU.

Para dy javësh, normat e navllonit të kontejnerëve ranë 32.1 për qind për transportin nga Azia në portet e Mesdheut, ranë 7.9 për qind drejt porteve në Bregun Perëndimor të SHBA-së dhe ishin nën 9.9 për qind drejt porteve në Bregdetin Lindor të SHBA.

Pasqyrimi në CMA CGM

Të martën, më 1 shtator 2015, kompania franceze, e treta më e madhe në botë e transportit të kontejnerëve, CMA CGM (me filial dhe në Durrës), shpalli rezultatet e tremujorit të dytë 2015, duke bërë të ditur se fitimi arriti prej 4.1 miliard dollarë, shifër që përfaqëson një rënie prej 2.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kompania regjistroi gjithashtu një fitim operativ prej 325 milionë dollarë, me një rritje prej 59.3% krahasuar me 3-mujorin e dytë 2014. Prandaj, rentabiliteti i CMA CGM-së qëndroi në 7.91%, deri në 3.0 pikë përqindjeje.

Në përgjithësi, rënien e fitimit në tremujorin e dytë CMA CGM-ja ia atribuon “pikiatës” në normat e navllonit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndonëse numri i TEU-ve të transportuara është rritur me 6.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo ishte e pamjaftueshme për të kompensuar plotësisht fitimin mesatar për kontejner, i cili ra me 7.8%.

Rritja e konsiderueshme e fitimit operativ i atribuohet rënies së madhe të çmimit të naftës, që rezultoi në kostot më të ulëta për njësi për CMA CGM-në. Këto kosto më të ulëta për njësi tejkaluan rënien në fitimin mesatare për kontejner të transportuar.

/portali DurresLajm/