30gusht 2015 – Paratë që u siguronte trafiku i drogës familjet Lamaj e Ahmetaj i kanë investuar në hotele e bar –restorante në bregdetin e Vlorës. Dyshimet janë ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas disa informacioneve të marra në rrugë operative. Një hotel luksoz dhe disa bar –restorante dyshohet se u përkasin dy familjeve të përfshira në trafikun e marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë, raporton Lapsi.

Rrjeti u zbulua më 24 gusht kur dy familjet kishin vendosur që transportin nga Vlora në Brindizi ta bënin me avionë. Deri tani “malli” ishte kaluar me makina përmes portit të Vlorës. Grupi hetimor ka dyshime të forta se edhe për kalimin në port ka ndihmuar shefi i burimeve njerëzore në policinë e Vlorës, Vladimir Zanaj, i arrestuar si pjesë e grupit. Ai dyshohet gjithashtu si njeriu që i kishte zgjidhur disa herë problemet e trafikantëve me policinë.

Zanaj është përgjuar duke folur me njërin nga drejtuesit e grupit, Sokol Lamajn, i cili e sinjalizonte se në parcelat e kanabisit që i përkisnin bandës, në Sevaster, kishte mbërritur policia. “Kanë ardhur këta, po prishin parcelat”, i ka thënë Sokol Lamaj oficerit të lartë të policisë. Nga ana e tij, Zanaj i thotë se do të flasë me personat që duhet në polici.

Dy janë oficerët e lartë të policisë së Vlorës që dyshohet se kanë patur dijeni për trafikun. Deri tani prokurorët nuk kanë nxjerrë asnjë udhër arresti tjetër veç atyre për 6 anëtarët e bandës së arrestuar në Vlorë. Sipas hetuesve, Sokol Lamaj ka nisur të dyshojë për përgjimet, pasi pas çdo bisede të zhvilluar me Zanajn apo rojen e parcelave të kanabisit, ai e fikte telefonin ose e zhdukte atë bashkë me kartën SIM.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/