30gusht 2015 – E quanin të zhdukur, por mëngjesi i sotëm ishte i rëndë për familjen Jonusllari në Pogradec. Djali i tyre 28-vjeçar, Ervini, u gjet i pajetë, bashkë me motorin e tij, në një rrugë dytësore në Qafë Plloçë-Stropskë, pranë një kanali. Burime zyrtare nga policia lokale thanë për noa.al se në vendngjarje kanë shkuar forca policore pasi u njoftuan mbi gjetjen e të ndjerit, nga një servis makinash aty pranë.
Paraprakisht dyshohet se i riu ka humbur jetën për shkak të një aksidenti rrugor. Dyshimet janë se Ervini, në gjendje të dehur ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga me motorin e tij duke gjetur vdekjen. I riu, baba i një vajze të vogël, mbrëmjen e 28 gushtit (e premte), kishte dalë me disa shokë dhe kishin qëndruar në një lokal deri vonë.
Rreth orës 04.00 të mëngjesit të së shtunës 29 gusht, ata ishin ndarë, por Ervini ishte larguar i vetëm edhe pse ishte i dehur nga konsumi i madh i pijeve alkoolike.
Familja u shqetësua që djali nuk u kthye në shtëpi dhe kërkoi ndihmën e policisë e cila e shpalli në kërkim.
Rreth 30 orë pas zhdukjes, trupi i të riut u gjet jo larg vendbanimit të tij, Çërravë e rrethit Pogradec.
E paqartë është pse trupi u gjet kaq vonë pas zhdukjes së të riut. Zona ku u gjet i riu që sipas policisë ka pësuar aksident, është e rrahur nga mjetet dhe kalimtarë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/