25 gusht 2015 – Banorë në qytezën Makoum (Makomb) të kontesë me të njëjtin emër në lindje të shtetit amerikan të Miçiganit, i erdhën në ndihmë një adoleshenteje, duke ia shkëputur nga duart shqiptarit të moshuar.
Prokurorët thonë se në orën 13 (ora lokale), të premten, më 21 gusht 2015, Pal Rakaj i ofroi një vajze 14-vjeçare 40 dollarë për të bërë seks, ndërsa ajo po punonte në një pikë shitjeje limonade. Rakaj, 67 vjeç, u akuzua se iu drejtua një të miture për qëllime imorale në një zonë të qytezës Makoum.
"Ai doli nga makina e vet dhe i kërkoi vajzës të bënte seks", thotë fqinja Kathy Kalinowski. "Ai kishte para në makinë dhe donte që ajo të shkonte në makinë. U befasova teksa ai po orvatej të bënte diçka të tillë, megjithëse kishte njerëz përreth”.
Fqinjët thonë se një bamirës që ndodhej afër një garazhi pa diçka të dyshimtë dhe u hodh në veprim, duke bllokuar Rakajn, pasi ai po përpoq të largohej nga zona. Dëshmitarët në makina të tjera u hodhën me shpejtësi duke bllokuar gjithashtu. Pastaj mbërritën zëvendësit e departamentit të sherifit për kontenë e Maukom-it, të cilët i vunë prangat. Rakaj u arrestua dhe pagoi një garanci 100 000 dollarë. Në gjykatë të hënën, më 24 gusht 2015, Rakaj tha se nuk flet anglisht dhe avokatja e tij kërkoi një përkthyes shqiptar.
Hetuesit thonë se kohët e fundit ka pasur incidente të ngjashme në komunitet dhe po punohet për sigurimin e provave nëse ishte i përfshirë në to edhe Rakaj. Shtëpia e të dyshuarit është pesë minuta me makinë nga skena e krimit të supozuar të së premtes. Ndiqet në gjendje të lirë me garancinë e paguar, por u urdhërua të dorëzojë pasaportën dhe të vendosë një GPS për t’u gjurmuar. Nuk i lejohet të ketë kontakte me fëmijët, por i lejohet të qëndrojë në shtëpinë e vet, me dy nipat, njëri gjashtëmuajsh dhe tjetri motak. Pal Rakaj duhet të paraqitet në gjykatë më 8 shtator 2015 për seancën e radhës.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/