22gusht 2015 – Policia e Durrësit nxori një njoftim zyrtar për ngjarjen e ndodhur sot në spitalin e qytetit. Sipas saj, në urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës është konfliktuar verbalisht shtetasi Adriatik Hoxha, 49 vjeç, banues në Durrës me mjekun A.N. 43 vjeç, banues në Durrës.
Pak minuta më vonë përfshihet në konflikt edhe shtetasi Jurgen Hoxha, 23 vjeç, djali i shtetasit Adriatik Hoxha, i cili ka goditur mjekun. Për pasojë mjeku ka marrë dëmtime të lehta.
Motivi i konfliktit lidhet me faktin që mjeku i ka kërkuar shtetasit Adriatik Hoxha të blejë një kateter, pasi ky i fundit kishte të shtruar babain e tij në Urgjencë.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës filluan proçedimin penal në mungesë ndaj shtetasit Jurgen Hoxha.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/