15gusht 2015 – Një 19-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim policor prej shtatë ditësh, i akuzuar për marrëdhënie homoseksuale me dhunë me një djalë, është arrestuar nga Policia e Tiranës. Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se shtetasi F.P. është vënë në pranga në rrugën “Princ Vidi”, ndërsa një javë më parë ishte denoncuar për përdhunim nga shoku i tij.

“Panorama” shkruan se, i arrestuari akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe më pas ka kryer marrëdhënie homoseksuale me një 18-vjeçar, jashtë dëshirës së tij. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën e javës së kaluar, në një banesë në zonën e Paskuqanit, kur adoleshenti ka ftuar shokun e tij një vit më të vogël për të pirë nga një birrë në shtëpinë e një mikut të tij. Ai i ka thënë se do të mblidheshin disa djem për të luajtur me letra dhe të pinin nga një birrë.

Duke qenë se e kishte shok prej disa vitesh autorin, i dëmtuari ka pranuar dhe ka shkuar bashkë me të në vendin ku e kishin lënë. Por në momentin që është futur brenda, 18-vjeçari ka parë se aty nuk ishte askush tjetër përveç tij dhe shtetasit F.P., i cili ka nxituar të mbyllë derën me çelës nga brenda dhe ka marrë një thikë duke e kërcënuar të dëmtuarin. Më pas e ka goditur disa herë me grushte në fytyrë e në bark dhe i ka lidhur duart.

Adoleshenti nuk ka pasur mundësi as të mbrohet dhe shoku i tij e ka përdhunuar. Pasi e ka mbajtur të mbyllur për disa orë në banesën ku ishin, autori ka dalë nga shtëpia dhe është larguar. Në këtë kohë 18-vjeçari i ka telefonuar Policisë duke denoncuar ngjarjen, ndërsa është transportuar nga efektivët drejt Mjekësisë Ligjore ku u është nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/