14 gusht 2015 – Historia dramatike e familjes Kajtazi nga Spitalla e Durrësit nisi një muaj më parë, por vetëm pas tri javësh u bë publike në media. Ngjasonte me skena filmi, vajzat e vogla të shtëpisë helmuan prindërit dhe motrën e madhe, i vunë flakën shtëpisë, morën paratë që ishin kursime familjare dhe u zhdukën në mes të natës.
Deri më sot në gjetjen e tyre, policia ka hetuar të gjitha pistat e mundshme mbi vendndodhjen e motrave Kajtazi, madje nuk u përjashtua as mundësia e largimit të tyre ilegalisht nga vendi, dyshime që çuan policinë e Durrësit të bashkëpunonte dhe me policitë e vendeve fqinje. Identifikimi i dy vajzave ishte i vështirë për t’u realizuar pasi ato kishin ndryshuar dhe fizikisht për të mos u dalluar, sqaron policia e Durrësit. Ato gjatë gjithë kësaj kohe kanë qëndruar në një shtëpi me qira në Vlorë, dhe dilnin shumë pak prej aty.
Por sot pas një muaji, aventura e dy motrave Kajtazi mori fund. Gjithçka ato e kanë bërë vetëm për t’u hakmarrë ndaj prindërve pasi sipas tyre, prindërit Hiqmet dhe Anila Kajtazi nuk i trajtonin mirë.
Në një njoftim për shtyp, policia e Durrësit zbadh detajet mbi gjetjen e tyre dhe dinamikën e gjithë kësaj historie të paprecedentë:
“Nga hetimet e kryera rezulton se Orialda dhe Klevisa Kajtazi para se të largoheshin i kanë vënë zjarrin banesës së tyre.
Ato janë larguar në këmbë nga banesa e tyre në orët e vona të natës të datës 16.07.2015 dhe kanë fjetur në një hotel në Durrës.
Më datë 17 korrik janë larguar me autobus në drejtim të qytetit të Vlorës. Pasi kanë mbërritur atje, nga një agjenci imobiliare kanë marrë një banesë me qira ku edhe kanë qëndruar gjatë gjithë kësaj periudhe.
Ato dilnin pak nga banesa ku qëndronin dhe frekuentonin ambiente që kishin shumë njerëz më qëllim që të mos pikaseshin.
Ndyshimet fizike të vajzave nga fotografitë e bëra publike kanë bërë që puna e policisë të vështirësohej pasi indentifikimi i tyre ishte i vështirë.
Theksojmë se, nuk kanë punuar në asnjë lokal nate apo disko dhe nuk janë shfrytëzuar nga askush.
Arsyeja e largimit nga banesa është për motive hakmarrje ndaj prindërve, pasi nga deklarimet që vajzat kanë bërë në polici rezulton se ato nuk i trajtonin mirë.”
Nga e gjithë ngjarja e 15 korrikut, fatmirësisht pati vetëm dëme materiale, pasi prindërit Hiqmet dhe Anila Kajtazi dhe motra e madhe Alketa ndodheshin në spital në Tiranë, si pasojë e helmimit që kishin pësuar nga ushqimi.
Më pas u gjet dhe një letër në shtëpi ku shkruhej "Hakun jua morëm, shtëpinë jua dogjëm, vajzat nuk keni për t'i parë më. Hahaha". Por, nga ekspertimi që iu bë letrës rezultoi se e kishte shkruar vajza e vogël, pasi shkrimi ishte i saj.
Sa i përket çështjes së parave, nga deklarimet e dhëna nga prindërit rezulton se vajzat kanë marrë me vetë 400 000 lekë të rinj dhe 800 €. Ndërkohë, motrat Kajtazi deklarojnë se kanë marë 200 000 lekë të rinj dhe 300 €.
Ndërsa, nga kontrolli që iu krye iu gjetën dhe iu sekuestruan 100 000 lekë të rinj dhe 100 €.
Babai Hiqmet Kajtazi: Ende s'e kam menduar t'i fal apo jo
Por nga gjithë kjo telenovelë, për babanë e familjes Hiqmetin, i cili ka dalë jo pak herë publikisht duke bërë apel për gjetjen e të bijave, e rëndësishme është që ato u gjetën shëndoshë e mirë.
Në një reagim për mediat, Hiqmet Kajtazi tha se ishte i lumtur që ato ishin gjallë ndërsa kur u pyet se a i kishte falur vajzat, u shpreh se nuk e ka menduar ende një gjë të tillë.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





