13gusht 2015 – Vrasja e dy shqiptarëve në gjykatë në Itali u bë shembull për të dënuar Ministrinë e Drejtësisë. Gjykata e Apelit në Bolonja e quan fajtore këtë institucion, duke e akuzuar se nuk plotësoi masat e sigurisë gjatë një procesi gjyqësor. Për këtë rast vendosi që ministria të paguajë 1.6 milionë euro familjes së viktimave.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në 17 tetor 2007, kur në gjykatë në Rexhio Emilia, po zhvillohej seanca e divorcit mes Çlirim Fejzos dhe gruas, Vjosa Demcolli. Fejzo u fut i armatosur në gjykatë, duke qëlluar për vdekje kunatin 32 vjeç, Arjan Demcolli, si dhe të shoqen. Kjo e fundit, 37 vjeçe ndërroi jetë në spital. Në seancën gjyqësore ishin të pranishme edhe dy vajzat e çiftit, 12 dhe 16 vjeç. Gjatë largimit, autori 40-vjeçari plagosi një polic dhe një avokat. Forcat e policisë hapën zjarr ndaj autorit, duke e lënë të vdekur në vend.

Sipas vendimit të Apelit, nëse do të kishte masa më të rrepta sigurie, kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur.

Familja Demçolli me origjinë nga Korça banonte prej dekadash në Sukth. Ajo ishte shpërngulur në rrethinat e Durrësit që në vitin 1949. Edhe familja Fejzo, së cilës i përkiste dhëndri jetonte prej më shumë se 60 vjetësh në zonën e Sukthit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/