13 gusht 2015 – Dy vëllezër të mitur, vetëm 13 dhe 14 vjeç kanë arritur të vjedhin brenda 8 ditësh 6 banesa në rrethin e Shijakut. Fillimisht trokisinin nëpër banesa dhe në rastet kur nuk përgjigjej njeri ata futeshin brenda dhe realizonin vjedhjet, ku merrnin ç’të mundnin, para, bizhuteri floriri, celularë etj. Më pas ndërronin veshjet dhe largoheshin me biçikleta.

Ata janë vëllezërit K. Ç. 14 vjeç, dhe E.Ç. 13 vjeç, banues në Sukth të Durrësit, të cilët ranë në prangat e policisë në sajë të finalizimit me sukses të operacionit të koduar “Banesa 009”.

Arestimi i tyre u bë pasi një ditë më parë, më 12 gusht, dy të miturit kanë hyrë për të vjedhur në dy banesa në Sallmone, konkretisht në banesat e 62-vjeçares M.Ç. dhe 32-vjeçarit E.Ç.

Policia e Durrësit bën me dije se në vazhdim të këtij operacioni, në sajë të veprimeve hetimore profesionale të Specialistëve për Hetimin e Krimeve u arrit të dokumentohet me prova ligjore se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin kryer disa vjedhje banesash të tjera të ndodhura në kohë dhe vende të ndryshme.

Rastet e vjedhjeve vijojnë si më poshtë:

1. Më datë 04.08.2015 kanë vjedhur banesën e shtetasit V.N. banues në Katund i Ri, Durrës.

2. Më datë 04.08.2015 kanë vjedhur banesën e shtetasit Sh.Sh. banues në Qerret, Durrës.

3. Më datë 10.08.2015 kanë vjedhur banesën e shtetasit N. Ll. banues në Qerret, Durrës.

4. Më datë 11.08.2015 kanë vjedhur banesën e shtetasit H.S. banues në Sallmone, Durrës.

Ndaj të gjitha çështjeve të mësipërme kishte filluar procedimi penal pa autorë dhe çështjet ishin në hetim. Por pas arrestimit të dy të miturve, ata kanë pranuar gjatë deklarimeve në polici autorësinë e ngjarjeve të mësipërme duke pohuar se kanë hyrë në banesa gjatë ditës.

Këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• një sasi bizhuterish floriri si: unaza, vathë, varëse dhe byzylykë floriri;

• 40 000 lekë të rinj;

• disa telefona celularë

• sende dhe oriendi shtëpiake.

Dy vëllezërit e vegjël do të dalin para drejtësisë nën akuzën e veprës penale “Vjedhja” në bashkëpunim, materialet e së cilës i kaluan Prokurorisë së Durrësit.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/