12 gusht 2015 – Drejtuesit e Skënderbeut janë vënë në “alarm”, pasi dje drejtuesit e klubit të Dinamos së Zagrebit kanë konfirmuar ardhjen e 700 tifozëve në stadiumin “Elbasan Arena” për ndeshjen me korçarët. Një shifër e lartë, e pazakontë kjo për një skuadër mike në Shqipëri. Kjo shifër në fakt përputhet me atë që u takon tifozëve miq në stadiumin e Elbasanit, sipas përqindjes së kapacitetit të këtij stadiumi.

Diçka pozitive që vijnë kaq shumë tifozë, por nga ana tjetër duhet garantuar siguria në “Elbasan Arena” dhe kjo nuk është aspak e lehtë. Presidenti Takaj prej disa ditësh ka ngritur një grup, që po punon enkas për mbarëvajtjen e ndeshjes së 19 gushtit. Ndaj Milsamit ishin në stadium 8200 tifozë, ndërkohë që tashmë interesimi është shumë herë më i madh. Dinamoja e Zagrebit njihet për tifozërinë e saj të zjarrtë, ku spikat grupimi “BBB” apo “Bad Blue Boys”. Patjetër që ata 700 persona që do të vijnë në Elbasan do të jenë nga më fanatikët, ndaj dhe duhen menaxhuar sa më mirë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/