12 gusht 2015 – Me suksesin në Superkupën e Europës, Barcelona ngjitet e para në renditjen speciale, përsa i takon klubeve që kanë fituar më tepër trofe ndërkombëtare. Pas edicionit të mbyllur me Tripletën, skuadra e Luis Enrique vuajti në finalen e Tbilisit, por rikthehet të fitojë trofeun e parë sezonal. Katalanasit i rrëmbejnë vendin Milanit dhe Real Madridit si skuadra më e titulluar në botë, pasi barazuan pikërisht kuqezinjtë, në kuotën e pesë Superkupave kontinentale.
Në historinë e saj sportive, Barcelona regjistron trofeun e 19-të ndërkombëtar. Në mënyrë më të detajuar, në palmaresin “blaugrana” janë 5 trofe Kupa Kampionësh, që tani njihen si Champions, 4 Kupa të Kupave, 3 Kupa Europiane të Panaireve, 5 Superkupa të Europës dhe dy Botërorë për klube. Sukseset mbresëlënëse konfirmohen nga statistikat. Në dhjetë vitet e fundit, katalanasit kanë fituar 40 për qind të edicioneve të Champions League të luajtura. Meritë të padiskutueshme ka Lionel Messi: me argjentinasin Barcelona ka fituar 9 nga 19 trofetë ndërkombëtare.Menjëherë pas spanjollëve renditen tri skuadra në kuotë të barabartë. Duke nisur nga italianët e Milanit, për të vazhduar me një tjetër gjigand europian, si Real Madrid dhe deri te legjendarët argjentinas të Boca Juniors, në kuotën e 18 trofeve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/