9 gusht 2015 – Angel di Maria u bë futbollisti më i shtrenjtë në histori të futbollit, në listën e përgjithshme të futbollistëve që kanë ndërruar disa skuadra gjatë karrierës. Mesfushori argjentinas u largua nga Manchester Unitedi, duke iu bashkuar Paris Saint-Germainit, për 63 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar kishte përfunduar në “Old Trafford” për afro 70 milionë euro. Me këtë rast, ish-futbollisti i Real Madridit u bë lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit.

Për të, klubet që e kanë pasur deri më tani në ekip, kanë shpenzuar plot 179 milionë euro.

Deri tani këtë epitet e mbante prej një kohe të gjatë Zlatan Ibrahimoviç, i cili iu ka kushtuar klubeve që e kishin deri më tani, Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan e Paris Saint-Germain, jo më pak se 171.1 milionë euro.

Një tjetër futbollist, i cili nuk ishte ndonjë yll i madh i futbollit, është edhe Nicolas Anelka për të cilin klubet shpenzuan shuma të majme. 36-vjeçari ndërroi shumë skuadra, duke përfshirë këtu PSG-në, Arsenalin, Real Madridin, Liverpoolin, Manchester Cityn, Fenerbahçen, Boltonin, Chelsean, Shanghain, Juventusin, WBA-në dhe së fundmi Mumbai Cityn. 36-vjeçari iu kushtoi këtyre klubeve jo më pak se 134 milionë euro.

Jo shumë larg francezit gjendet argjentinasi Hernan Crespo. Ai u kishte kushtuar River Plates, Parmës, Lazios, Interit, Chelseat, Milanit dhe Genoas, 121 milionë euro.

Në pesëshen e parë bën pjesë edhe bashkëkombësi i tij, Juan Sebastian Veron. 40-vjeçari luajti për Estudiantes, Boca Juniors, Sampdoria, Parma, Lazio, Manchester United, Chelsea, Inter e Brandsen. Këto klube paguan 117 milionë euro.

Gareth Bale, futbollisti më i shtrenjtë absolut në histori të futbollit, gjendet në pozitën e tetë me 100 milionë, kurse lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori, Cristiano Ronaldo, në këtë listë gjendet në pozitën e gjashtë me 111.5 milionë.

Në Top 10 bëjnë pjesë edhe yje të dikurshme të futbollit si braziliani Ronaldo, italiani Christian Vieri dhe braziliani Robinho.

Top 10 futbollistët më të shtrenjtë në histori:

1. Angel di Maria        179 milionë euro

2. Zlatan Ibrahimoviç  171.1 milionë euro

3. Nicolas Anelka        134.0 milionë euro

4. Hernan Crespo        121.0 milionë euro

5. Juan Veron              117.0 milionë euro

6. Cristiano Ronaldo   111.5 milionë euro

7. Ronaldo                  100.9 milionë euro

8. Gareth Bale             100 milionë euro

9. Christian Vieri         87.5 milionë euro

10. Robinho                85 milionë euro

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/