9 gusht 2015 – Përballja e League One, kategorisë së tretë angleze, ndërmjet Doncaster dhe Bury-t dukej e destinuar të përfundonte në barazim pa gola. Por, në harkun e pak sekondave, pikërisht atëherë kur pritej vërshëllima e gjyqtarit për mbylljen e sfidës, në sekondat shtesë kur loja rinisi pas një dëmtimi, ndodh gjithçka.
Bury nxori topin në rivënie anësore, për të lejuar ndihmën mjekësore për një lojtar të ekipit. Topi u rikthye në lojë nga Doncaster, me fanellën bardhekuqe. Por, goditja e Harry Forrester shkon drejt portës kundërshtare dhe përfundon në rrjetë. Futbollisti kërkon ndjesë, pasi kishte për synim ta pasonte topin dhe jo të shënonte. Mes lojtarëve, përfaqësuesve të stafit teknik dhe gjyqtarit zhvillohet një bisedë disa-minutëshe dhe në fund fiton “marrëveshja e xhentëllmenëve”. Skuadra e Doncaster qëndron pa lëvizur në fushë, duke lejuar Bury-n të barazojë shifrat në 1-1. Për ta kaluar mes të qeshurave situatën e pazakontë, një lojtar dhe portieri rival veprojnë sikur tentojnë të ndalojnë sulmuesin Leveller Clarke, që në fund realizon një prej golave më të lehtë në historinë e futbollit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/