9 gusht 2015 – Bienalja “Netët e muzikës klasike” që zhvillohet në Durrës që nga viti 2003 është një veprimtari artistike e klasit të parë. Kjo është konsiderata e kompozitorit të mirënjohur kosovar, Rauf Dhomi, i cili e ka ndjekur atë rregullisht në tri edicionet e fundit.
Sipas akademikut nga Gjakova, filli tematik i çdo edicioni dhe niveli shumë i lartë i instrumentistëve e bëjnë Bienalen e Durësit një aktivitet me shumë vlera, pa folur për cilësitë profesionale të violinistit – organizator Florian Vlashi, të cilin prof. Dhomi e konsideron si një nga instrumentistët e top-listës shqiptare e më gjerë.
Prof. Dhomi, ju kemi parë rregullisht në mbrëmjet e Bienales.
Pushimet i kaloj çdo verë në Durrës dhe nuk mund ta humbas rastin për ta ndjekur Festivalin që organizon Florian Vlashi. Nuk mungoj që prej tri edicionesh.
Cili është opinioni juaj?
Është një veprimtari që rritet vazhdimisht, si nga ana profesionale, edhe nga larmia tematike. Muzika klasike spanjolle në thellësinë dhe gjërësinë e saj ishte gjetja e këtij edicioni.
Ju jeni profesionist. A është e vështirë të organizohet një veprimtari e tillë?
Unë uroj që Bienalja të ketë mbështetjen e duhur nga shteti dhe institucionet artistike, pasi ajo është me siguri një veprimtari e klasit të parë.
Florian Vlashi përveçse ka provuar se është një instrumentist i top-listës shqiptare e më gjerë, dëshmon se është një organizator i mençur që ka aktivizuar të gjithë familjen prej katër instrumentistësh. Nga Spanja vjen çdo dy vjet në Durrës, duke hequr dorë nga pushimet e duke sjellë nivele tepër të larta artistike.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





