8 gusht 2015 – Në vitin 1996, Tirana kampione ndeshej me Dinamon e Zagrebit, për Kupën UEFA. Ishte një Tiranë yjesh për kampionatin shqiptar në ato vite, por kundër Dinamos nuk pati asnjë shans, duke humbur 4-0 në Zagreb e 6-2 në Tiranë. Një prej futbollistëve më të njohur të Tiranës në vitet ’80-90, Florian Riza, ishte pjesë e bardhebluve në sfidat kundër Dinamos dhe kujton gjithçka, duke bërë krahasime me aktualitetin, por edhe duke zbuluar detaje mjaft kurioze, të panjohura për publikun.
“Pavarësisht nga humbjet e thella, duhet theksuar se Tirana kishte një skuadër me lojtarë shumë të mirë. Megjithatë, Dinamo ishte tepër superiore, një klub shumë i organizuar dhe profesionist, me yje si Shimiç, Viduka e shumë të tjerë. Edhe tani Dinamo është klub i shkëlqyer, edhe pse ka disa probleme”.
Riza nuk harron problemet e pragndeshjes së vajtjes.
“Shumë gjëra shkuan keq. Bëmë një minifazë në Piobiko, pranë Fanos në Itali, por kampingu nuk ishte për futboll. Nga Fano në Bari udhëtuam me autobus, më pas udhëtim sfilitës në traget, ku nuk kishim dhoma. Ishin disa ditë para ndeshjes me udhëtime tepër të lodhshme. Ishim komplet të papërgatitur e pa organizim për ndeshje të tilla, kaq të rëndësishme”.
Krahasimi me Skënderbeun?
“Nuk bëhet. Skënderbeu është i pari ekip shqiptar profesionist. Skënderbeu quhet kundërshtar real për çdo ekip në play-off”.
Në fund, një kujtim kurioz nga ndeshja në Kroaci.
“Përkthyesi na tha që njëra portë konsiderohej si fat i keq për Dinamon, që shënonte me vuajtje aty. E zgjodhëm në pjesën e parë. Në atë pjesë pësuam 4 golat e ndeshjes”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/