7 gusht 2015 – Roli i edukimit fizik në shoqëri gjithnjë e më shumë po merr përmasa edhe më të mëdha. Kultura fizike po futet gradualisht kudo, madje duke u bërë pjesë e jetës sonë, por e rëndësishme është konsolidimi i edukimit dhe kulturës fizike te brezi i ri. Masivizimi i aktiviteteve fiziko-sportive në shkollë dhe jashtë saj, mbetet ndër sfidat kryesore e specialistëve të edukimit fizik dhe fizkulturës. Tashmë nga qeveria aktuale ka një tjetër vizion për edukimin fizik dhe sportin dhe kjo është mishëruar me disa hapa konkrete që nga programi “sporti në shkolla” e deri tek implementimi i platformës së re të edukimit fizik në sistemin tonë shkollor parauniversitar. Dhe janë pikërisht mësuesit e edukimit fizik dhe sportit ata të cilët do të vënë në praktikë këtë këtë platformë të re zhvillimi të edukimit fiziko-sportiv dhe fizkulturës.
Adrian Dedja, specialist dhe mësues i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare “Nënë Tereza” në Durrës, tepër pasionant dhe i kompletuar në profesionin e tij, shprehet se së bashku me një grup kolegësh të tij janë nismëtarë të krijimit të shoqatës së mësuesve të edukimit fizik në Durrës. Në një prononcim për “Dyrrah”-un, Adrian Dedja flet për idenë e krijimit të kësaj shoqate, synimet dhe platformën e saj.
Z. Dedja, si lindi ideja e krijimit të kësaj shoqate?
Tashmë edukimi fizik ka hyrë në një stad krejtësisht të ri në të gjithë sistemin tonë arsimor parauniversitar, kjo falë dhe një vizioni dhe qasjeje krejt tjetër të kësaj qeverie për sportin dhe edukimin fizik, duke u konkretizuar me një platformë të re për edukimin fizik dhe sportin.
Dhe në terren jemi ne mësuesit e edukimit fizik që zbatojmë dhe implementojmë këtë program pjesë e platformës së re. Dhe për ta bërë më të lehtë këtë menduam krijimin të krijojmë këtë shoqatë, për t’u bashkuar në qëllimin tonë të përbashkët për zhvillimin dhe masivizimin e sportit dhe edukimit fizik në qytetin tonë. Aktualisht jam dhe kryetar i kësaj shoqate me besimin e dhënë nga kryesia e saj.
Konkretisht, cili është pikësynimi kryesor për t’u arritur nëpërmjet kësaj shoqate?
Synimi kryesor mbetet masivizimi i edukimit fizik dhe sportit nëpërmjet aktiviteteve të shumta shkollore dhe jashtëshkollore, ku për këtë qëllim mësuesit e edukimit fizik duhet të jenë bashkë nën moton “mësuesi i edukimit fizik po aq i domosdoshëm sa dhe mjeku”.
Si është pritur kjo nismë e juaja nga kolegët tuaj edhe në shkolla të tjera?
Jemi ende vetëm në hapat e para, por nga bisedat që kemi pasur me shumë kolegë të edukimit fizik, na kanë shprehur mbështetje dhe përkrahje në këtë nismë.
Krijimi i kësaj shoqate, sa do të ndikojë në rritjen e autoritetit të mësuesit të edukimit fizik?
Patjetër që do të ndikojë shumë në këtë drejtim, kjo shoqatë do të jetë krah dhe mbështetje për të gjithë këta mësues në punën e tyre si dhe një mundësi më shumë për promovimin e vlerave të tyre individuale.
Në dijeninë tuaj a ka pasur nisma të tilla edhe në rrethe të tjera?
Po, di që një shoqatë e tillë është krijuar edhe në Tiranë dhe me sa di unë po funksionon shumë mirë.
Intervistoi Monad Fama
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





