5 gusht 2015 – Shkaku për konfliktin e 45-vjeçarit Arben Pllumi me policinë e Durrësit, ka qenë theyrja e dyerve të biznesit të tij nga ana e bluve, pasi aty brenda ishin kyçur tre fëmijë.
‘Shqiptarja.com’ shkruan se Pllumi ishte i dehur dhe pak pas mesnate mbylli biznesin e tij të videolojërave në lagjen nr.13 duke lënë brenda tre të mitur. Fëmijët kuptuan se ishin kyçur pasi kanë përfunduar lojërat dhe menjëherë kanë kontaktuar përmes telefonit familjarët e tyre.
Policia e njoftuar prej familjarëve, i nxori jashtë fëmijët e tmerruar duke thyer dyert e biznesit. Por, pikërisht këtë fakt duket se nuk e ka pritur mirë pronari i videolojërave, i cili me të parë thyerjen e derës, nisi të konfliktohet fizikisht dhe të kërcënojë me jetë efektivin e policisë së Durrësit.
Sipas gazetës ‘Shqiptarja.com’, pas arrestimit, 45-vjeçari ka shpjeguar në ambientet e policisë se nuk i kishte harruar të miturit brenda, por ishte larguar thjesht për të pirë një kafe.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





