5 gusht 2015 – Me 36 votat e këshilltarëve të majtë, Alban Ramohitaj i propozuar nga Partia Socialiste rizgjidhet në krye të këshillit bashkiak të Durrësit. Ramohitaj ka drejtuar këshillin bashkiak edhe dy vitet e fundit të mandatit të kaluar, teksa u zgjodh në këtë post në shtator të vitit 2013 duke zëvendësuar Indrit Hamitin, përfaqësuesin e PDIU-së.

Menjëherë pas zgjedhjes së tij në krye të këshillit bashkiak, në një intervistë për “Dyrrah”, Alban Ramohitaj flet për punën në këtë mandat, ku me bashkinë e madhe tashmë, sfidat pritet të jenë edhe më të mëdha.

Z. Ramohitaj, në radhë të parë ju uroj për rizgjedhjen tuaj sërish në krye të këshillit bashkiak të Durrësit. Si e vlerësoni rikonfirmimin tuaj në këtë detyrë?

Duke ju falenderuar dhe unë, mund të them se për mua ky është një vlerësim mjaft i madh si dhe një përgjegjësi dhe detyrim ndaj qytetarëve durrsakë.

Fakti që këshilltarët e opozitës nuk propozuan asnjë emër për kryetar të këshillit bashkiak, mendoni se jua bëri më të lehtë zgjedhjen tuaj si kandidaturë e vetme?

Jo, nuk mendoj kështu. Unë u votova nga shumica e këshilltarëve, janë vota të koalicionit të majtë që ka dhe shumicën në këtë këshill. Lidhur me faktin se këshilltarët e opozitës nuk propozuan asnjë emër, kjo është zgjedhja e tyre.

Bashkia e madhe e Durrësit pas ndarjes së re territoriale, mendoni se do të sjellë sfida akoma më të mëdha edhe në këshillin bashkiak?

Patjetër që tashmë me administrimin e një territori më të madh nga bashkia e Durrësit, sfidat që na presin përpara do të jenë edhe më të mëdha, pasi edhe problematikat e administrimit të një territori më të gjerë me një popullsi më të madhe, pritet të jenë edhe më të shumta.

Sa do t’ju vlejë eksperienca juaj dyvjeçare në krye të këshillit bashkiak në mandatin e kaluar?

Sigurisht, eksperienca e krijuar në dy vitet e fundit të mandatit të kaluar është një plus i madh për mua në përmbushjen rigoroze të detyrës që më kanë besuar.

Mandatin e kaluar nuk kanë munguar debatet shpeshherë shterpë midis këshilltarëve të mazhorancës dhe opozitës. A besoni në një frymë të re bashkëpunimi në këtë mandat, larg orientimeve apo qëndrimeve politike?

Besoj se ky mandat i këshillit bashkiak do të karakterizohet nga një frymë e re bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë në marrjen e vendimeve, në dobi të qytetarëve dhe zhvillimit të qytetit. Çdo anëtari të këshillit bashkiak, pavarësisht se kë grupim politik përfaqëson, do t’i jepet mundësia e fjalës dhe debatit konstruktiv që do t’i shërbejë konsolidimit të një klime të re bashkëpunimi, larg konfliktualitetit politik.   

Intervistoi Monad Fama

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/