31 korrik 2015 –   Të enjten, më 30 korrik 2015, para takimit me kryetarin e rizgjedhur të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ambasadorja e Republikës së Kinës në Tiranë, Shkëlqesia e Saj Jiang Yu, pati një takim me drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv dhe drejtues të tjerë të personit juridik publik “Autoriteti Portual Durrës” (APD) ing. Gazmend Shalsi, njoftoi zyra e shtypit e APD-së.

Shalsi bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit, duke nënvizuar se, pas investimeve të qeverisë shqiptare, aktualisht rreth 70 për qind e terminaleve administrohen nga kompani koncesionare. APD-ja është përqendruar në dy projekte të rëndësishme: atë të thellimit të basenit e kanalit hyrës në port, si dhe rikrijimin e lidhjes hekurudhore me rrjetin e përgjithshëm kombëtar. “Prandaj mirëpresim investitorë seriozë të huaj për bashkëpunime edhe në të ardhmen”, – shtoi drejtori i përgjithshëm ekzekutiv.

Ambasadorja Yu shprehu interesimin e qeverisë kineze dhe atë të kompanive të mëdha në fushën e ndërtimit të porteve, rrugëve dhe autostradave për bashkëpunime me palën shqiptare. Yu vuri në dukje se tashmë në Kinë funksionojnë platforma investimi, një prej të cilave është fondi i Rrugës detare të Mëndafshit. Pikërisht në qytetin-port të Shantout, i cili po lidh marrëveshje bashkëpunimi me qytetin e Durrësit ka premisa për bashkëpunimi edhe në fushën financiare të investimeve. 

Delegacioni kinez, ku bënin pjesë edhe ekspertë të sektorit tregtar në ambasadë, u interesua për planet e zhvillimit, ndërsa ambasadorja theksoi se kontaktet me drejtuesit e APD-së në të ardhmen do të jenë më të shpeshta.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/