30korrik 2015 – Për shumë skuadra kjo periudhë njihet si ajo e fazës përgatitore, ku sportistët marrin ngarkesën e nevojshme fizike për të përballuar me sukses një sezon të tërë. Një rol tepër të rëndësishëm në këtë proces merr dhe mjeku sportiv, i cili është pjesë e stafit të skuadrave. Në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të skuadrave hartohet një program stërvitor ku sportistët të marrin maksimumin e ngarkesës pa trauma dhe mbilodhje. Lidhur me rolin që merr mjekësia sportive në këtë periudhë pregatitjesh për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” flet mjeku sportiv i Klubit Shumësportësh Teuta Pëllumb Leskoviku me një karierë 32 vjeçare në këtë profesion.
Doktor Leskoviku, nga pikëpamja e mjekësisë sportive çfarë përfaqëson kjo periudhë ku pjesa më e madhe e sportistëve janë në fazë përgatitore?
Pas një pushimi aktiv, sportistët rikthehen me fazën përgatitore e ndarë kjo në disa etapa. E para konsiston në pregatitjen e organizmit në mënyrë graduale, kryesisht në këtë etapë punohet më tepër për rritjen e kapacitetit aerobik te sportistit me ushtrime dhe lojra të ndryshme duke përfshirë këtu dhe lojrat e ujit, ku synohet pregatitja e organizmit për etapën e dytë anaerobike laktike që është edhe më e vështirë. Këta elementë të aerobisë kërkojnë shfrytëzimin e bregdetit dhe terreneve kodrinore duke imimituar metodën “Fartlik” që konsiston në rritjen e kapacitetit aerobik të sportistit. E gjithë kjo është mjaft e rëndësishme në parapregatitjen e organizmit për një beteje të gjatë vjetore.
Në këto ditë të nxehta, çfarë rekomandoni për sportistët?
Gjatë proçesit stërvitor në këtë periudhë ku mbizotërojnë temperaturat e larta, sportistët humbasin nëpërmjet djersës mjaft elemntë të rëndësishëm për organizmin si: kalçium, kalium, hekur etj dhe detyra e parë mbetet zëvendësimi i tyre, pasi mosmarrja e këtyre elementëve shton ngërçet muskulare, aneminë, lodhjen etj. Për këtë rekomandohet përdorimi i kripërave minerale si psh polasesport etj që merren duke u tretur në një litër ujë dhe konsumohen gjatë gjithë kohës së stërvitjes në çdo kohë që ndjen etje. Rekomandohet gjithashtu dhe banjo me ujë të ftohtë që ndikon në normalizimin e temperaturës së trupit dhe largimin e lodhjes. Mjaft e rëndësishme në këtë periudhë të nxehtë është dhe përdorimi i kostumeve sportive cilësore të përshtatshme për këtë periudhë, ato duhet të jenë të pambukta, të freskëta në mënyrë që të thithin djersën.
Si e shikoni bashkëpunimin mjek-aportist-trajner në arritjen e rezultateve sa më të larta?
Lidhja apo bashkëpunimi mjek- sportist–trajner është mjaft e rëndësishme dhe ndikon drejtpërdrejt në rritjen e rrezultateve sportive. Një trajner profesionist e njeh dhe e kupton mjaft mirë mirëfunksionimin e këtij trinomi. Para fazës përgatitore sportistët testohen në kabinetin mjekësor nga ku më pas marrin dhe garancinë mjekësore për këtë betejë do të thosha të lodhshme. Nga testimet e kyera në këtë periudhë përcaktohet gjendja fizike fillestare e sportistit, një testim i dytë bëhet pas fazës përgatitore ku shihet se çfarë progresi ka bërë sportisti gjatë kësaj periudhe. Testimet mjekësore rikthehen në fund të aktivitetit sportiv për të përcaktuar saktësisht ngarkesën reale që mund të përballojë organizmi.
Cilat janë traumat më të shpeshta në këtë periudhë të pregatitjes?
Kjo është një fazë e lodhshme ku sportisti gradualisht merr një ngarkesë fizike të mjaftueshme për të përballuar një sezon të tërë. Lodhja mund të jetë e përgjithëshme apo muskulare lokale. Sportisti kurrsesi nuk duhet të kalojë në mbilodhje, pasi kjo dëmton rëndë sportistin dhe shkakton trauma, kjo shmanget duke zbatuar një program stërvitor të mirstudjuar.
Ndër traumat më të shpeshta janë kontrakturat dhe traumat muskulare. Gjithashtu në këtë periudhë rizgjohen dhimbjet edhe të traumave të vjetra të kaviljes, gjurit, apo probleme të rrugëtimeve muskulare të kaluara, që mund të rikuperohen në kohë me streçing dhe ushtrime të tjera të përmendura pak më lart.
Faleminderit doktor.
Faleminderit juve qe risillni ne vemendje nje teme kaq te ndjeshme per komunitetin sportiv.
/M.F. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





