30 korrik 2015 – Teuta ditën e premte do të jetë në Durrës duke mbyllur kështu fazën përgatitore në Bullgari. Durrsakët kanë luajtur edhe ndeshjen e fundit miqësore ndaj ekipit bullgar Botev Vratsa, ndeshje e cila ka përfunduar 0-0 dhe ku durrsakët janë aktivizuar të gjithë nga trajneri Magani në një lojë ku nuk munguan rastet e shënimit, por pa arritur të finalizojnë.

Në këtë mënyrë, Teuta ka mbyllur një fazë përgatitore mjaft pozitive dhe tepër intensive duke zhvilluar dy seanca stërvitore në ditë dhe duke treguar nivel mjaft të mirë në të gjitha miqësoret e zhvilluara në tokën bullgare.

Teuta ka zhvilluar 5 ndeshje miqësore në Bullgari ku është mundur në ndeshjen e parë nga Skoda Xanthi 1-2, ndërkohë që ka barazuar me ekipin maqedonas të Horizont Turnovos 0-0, ka fituar 6-0 me Pirin Razlog, ka barazuar 2-2 me Platanian dhe 0-0 me Botev Vratsa. Aktiviteti i radhës i durrsakëve është kupa Egnatia Cup ku marrin pjesë përveç Teutës edhe Frosinone ekipi i Serie A dhe Partizani.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/