29 korrik 2015 – Teuta vazhdon me intensitet stërvitjen në Bullgari me nga dy seanca stërvitore në ditë. Ekipi është në gjendje mjaft të mirë dhe këtë e ka treguar edhe në miqësoret e zhvilluara deri tani e sidomos në miqësoren e fundit ndaj ekipit grek të superligës Platania me të cilin ka barazuar. Tashmë po vjen edhe fundi i kësaj faze përgatitore për durrsakët që javën e ardhshme do të jenë në Durrës, ku që në datë 8 gusht do të jenë në aktivitet pasi do të marrin pjesë në turneun Egnatia Cup me Frosinonen dhe Partizanin.

Edhe të ardhurit e merkatos së verës janë përshtatur mirë me ekipin durrsak, madje disa prej golave të shënuara në këto miqësore janë realizuar prej tyre. Ndërkaq Teuta do të zhvillojë edhe miqësoren e fundit në Bullgari, ku ditën e enjte në orën 18.00 djemtë e detit do të ndeshen me ekipin bullgar Botev Vratsa.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/