28 korrik 2015 – Sot në mbrëmje Skënderbeu luan sfidën e parë përballë skuadrës moldave Milsami, në kuadër të turit të tretë paraeliminator të Champions League.
Kjo sfidë e parë do të vendosë shumë për korçarët sa i përket kualifikimit, ndonëse janë dhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur. Një rezultat pozitiv sot në mbrëmje do t’i japë korçarëve më shumë besim dhe forcë në ndeshjen e kthimit që do të luhet pas një jave.
Korçarët kanë zhvilluar dje në mbrëmje rreth orës 18:30 edhe një seancë të shkurtër stërvitore në fushën e blertë të stadiumit “Zimbru Arena” të Kishinievit, atje ku dhe do të luhet ndeshja e sotme ndaj Milsami Orhei-t.
Skënderbeu vjen në përballjen e sotme me dy mungesa në repartin e mbrojtjes, të padisponueshëm për trajnerin Josa. Ata janë Tefik Osmani i dëmtuar dhe Renato Arapi i skualifikuar pas kartonit te kuq marrë në ndeshjen e kthimit ndaj Krusaders. Në mungesë të tyre trajneri Josa pritet të aktivizojë Jashanicën dhe Abazin. Në mesfushë nuk priten ndryshime, ndërkohë i vetëm në sulm do të jetë Hamdi Salihi.
Ndeshja midis Milsamit dhe Skënderbeut do të luhet sonte në mbrëmje në orën 19:00 në kryeqytetin moldav Kishiniev, pikërisht në stadiumin “Zimbru Arena”, ndër të paktat stadiume në Moldavi që plotësojnë standardet e UEFA-s për ndeshje të këtij niveli.
Ndeshja do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh turq me kryesor Husein Goçek i ndihmuar nga asistentët e tij Mustafa Eyisoy dhe Orkun Aktash, ndërkohë si delegat i UEFA-s do të jetë rusi Leonid Kaloshin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/