28 korrik 2015 – Reali i Madridit mbi gjithë të tjerët për sa i përket financave. Barcelona fitoi Championsin por rivalët më të mëdhenj të katalanasve pavarësisht suksesit sportiv të blaugranave mbeten shumë më të pasur. Revista prestigjioze amerikane “Forbes” publikoi klasifikimin e 15 klubeve apo shoqërive sportive më me vlerë në të gjitha sportet dhe Los Blancos me një vlerë prej 3.26 miliardë dollarësh janë në krye të listës.

Në këtë mënyrë me strategjinë e tij të marketingut dhe imazhin global, Reali arrin të triumfojë edhe ndaj kolosëve të sportit amerikan, pasi menjëherë pas spanjollëve vijnë Dallas Cowboys, skuadër e futbollit amerikan dhe New York Yankees në kuotën e 3.2 miliardë dollarëve dhe pas treshes së podit vijnë skuadrat e futbollit.

Barcelona gjendet në vendin e katërt me 3.16 miliardë dollarë dhe pas klubit katalanas në vendin e pestë ndodhet Manchester United me një vlerë prej 3.1 miliardë dollarësh.

Pas tyre mbyllin dhjetëshen e parë Los Angelos Lakers, New Englanmd Patriots, New York Knickcs, Los Angeles Dodgers dhe Washington Redskins, ndërsa në vendin e 11 ndodhet edhe Bajerni i Mynihut me një vlerë prej 2.35 miliardë dollarësh. Menjëherë pas bavarezëve vjen një tjetër sërë skuadrash amerikane që bëjnë padronët për sa i përket financave si meritë e strategjive të tyre të biznesit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/