27 korrik 2015 –  Me portet e tri shteteve (Turqi, Egjipt dhe Rusi) është kryer 61 për qind e vëllimit të shkëmbimit të mallrave të import-eksportit në 6 muajt e parë të këtij viti në portin e Durrësit, ndërsa pjesa tjetër realizohet me portet e 14 vendeve të tjera, tha zyra e shtypit e drejtorisë ekzekutive të personit juridik publik “Autoriteti Portual Durrës” (APD). Anijet, që përpunohen në terminalet Lindore dhe Perëndimore për eksport dhe import, kanë realizuar një vëllim të përgjithshëm prej 686 mijë tonë mallra.

Porti i huaj, ku janë përpunuar më shumë mallra shqiptare dhe anasjellas, është ai i Dekhelias (Egjipt), ku janë shkarkuar 123 mijë tonë mallra “Made in Albania” dhe janë nisur drejt Durrësit 3 mijë tonë mallra të tjera. Shtatë porte të Egjiptit dhe 14 të tjera në Turqi janë pikat e nisjes dhe të mbërritjes së mallrave që janë përpunuar në portin e Durrësit gjatë këtij 6-mujori. Ato zënë secila përkatësisht nga 22 për qind të vëllimit të përgjithshëm të mallrave që janë përpunuar në Durrës. 17 për qind të mallrave të tjerë shkëmbehen me portet e Rusisë, ndërsa 12 për qind me ato të Libisë, që zë vendin e katërt në shkëmbimet me portin e Durrësit. Bien në sy shkëmbimet prej 7 për qind të mallrave me portin amerikan të Hjuston-it (Houston, qendra e NASA-s), nga ku kanë mbërritur në Durrës 47 mijë tonë mallra. Portet në Itali, Greqi, Ukrainë dhe Kroaci kanë me portin e Durrësit një shkëmbim prej 4-5 për qind të mallrave secila. Në këto statistika nuk bëjnë pjesë mallrat me kontejnerë dhe me tragete.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/