26 korrik 2015 – Trajneri i Shqipërisë Gianni De Biasi komentoi grupin eliminator të Botërorit Rusi 2018 duke e cilësuar si mjaft të vështirë por që mund të nxisë kombëtaren të rritet akoma më tepër në nivel.
Menjëherë pas shortit, italiani i natyralizuar si shqiptar nuk e mohoi kënaqësinë e përballjes me të kaltërit në një turne zyrtar duke e cilësuar si një derbi përballjen me formacionin e Contes.
Fakti që Shqipëria do të ndeshet me Spanjën dhe Italinë, do jetë një nxitje më shumë për kombëtaren për të zhvilluar lojëra të mira, ndërsa vlerësoi maksimalisht dhe kombëtaret e Izraelit, Maqedonisë dhe Lihtenshtejnit.
Gjithsesi De Biasi bëri të ditur se për momentin Shqipëria duhet të përqëndrohet në ndeshjet eliminatore të Europianit ku do të ketë dy ndeshje të rëndësishmë në shtator, me Danimarkën dhe Portugalinë.
Sipas trajnerit, përfaqësuesja ka një grup në rritje të vazhdueshme dhe përballë sfidave të rëndësishme di si të karikohet duke përmbysur madje dhe diferencën e mundshme teknike me kundërshtarët.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/