26 korrik 2015 – Shorti i Shën Petërburgut e ka lënë të kënaqur presidentin e FSHF-së, Armand Duka, që në lidhje telefonike nga qyteti rus e ka pëlyqer verdiktin e goglave duke theksuar se është një kënaqësi të luash përballë kombëtareve si Spanja dhe Italia.
“Shorti më pëlqen. Është një kënaqësi të luash me Italinë dhe Spanjën, dy prej kombëtareve më të mëdha në vend në botë. Unë jam i kënaqur me shortin sepse besoj se të gjitha skuadrat janë të forta. Nuk besoj se grupet e tjera janë më të thjeshta, pasi dhe po të luash me Gjermaninë apo Anglinë sërish të njëjtin koeficent vështirësie do të kesh.”
Një derbi fqnj dhe me Maqedoninë këtë herë, një vend ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 1/3 e popullsisë. Duka nuk beson se në aspektin sportiv kjo sfidë do të paraqesë problem ashtu si dhe në planin e rivalitetit.
“Nga ana sportive nuk besoj se do të ketë problem, sepse Maqedonia ka rënë shumë vitet e fundit. Gjithsesi ne e vlerësojmë si çdo kundërshtar tjetër. Sa i përket më pas ndonjë ngjarjeje të pakëndshme jashtë futbollit gjithashtu nuk mendoj se do të ketë probleme sepse në atë vend jetojnë shumë shqiptarë.”
Në fund Duka i përgjigjet me diplomaci dhe pyetjes nëse do të rinovojë sërish me De Biasin duke qenë se do të përballemi tashmë me Italinë, të cilën trajneri kuqezi e njeh mjaft mirë. “Tani nuk dua të mendoj për këtë, pasi përpara kemi eliminatoret e Francës. Tani duhet të mendojmë për Danimarkën dhe ndeshjet e shtatorit. Këtu jemi përqëndruar për momentin, si unë, si trajneri gjithashtu dhe lojtarët.”
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/