26 korrik 2015 – Italia dhe Shqipëria në një grup eliminator është një risi që tremb edhe popullin fqinj përtej Adriatikut. Miqësorja e Gjenovës i ka ndihmuar dy skuadrat ta njohin më mirë njëra-tjetrën, por mbi të gjitha të afrojnë edhe më shumë dy popuj kaq të afërt. Ishte pikërisht ajo sfidë dhe ecuria mbresëlënëse e Shqipërisë gjatë eliminatoreve të Europianit që ngjallin interes te mediat italiane, të cilat e kanë analizuar si të vështirë shortin e kombëtares së kaltër për Botërorin 2018 ku përveç Spanjës, skuadra e Contes duhet të bëjë llogaritë edhe me Shqipërinë.
Trajneri Conte e cilësoi një grup të vështirë por edhe stimulues, ndërsa komentuesit në rrjetet sociale apo blogjet e gazetave kryesore përtej Adriatikut kërkojnë që kombëtarja e kaltër të mos e nënvlerësojë Shqipërinë.
E përditshmja “Gazzetta Dello Sport” veçon Spanjën, Shqipërinë dhe Izraelin si kundërshtarët më të fortë të Italisë. Në një tjetër shkrim, kjo e përditshme thekson se Spanja mbetet favorite, por Shqipëria e De Biasit po kalon momentin më të mirë, ndërsa Izraeli, Maqedonia e Lihtenshtejni janë ekipe të një niveli më të ulët. Një komentues në faqen e të përditshmes në internet shkruan:
“Vendimtare do të jetë të mos lemë pikë me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë, por mbi të gjitha të evitojmë humbjen me Shqipërinë dhe Izraelin”. Ndërsa një tjetër shton: “Me Spanjën mund të luajmë si të barabartë, por kujdes Shqipërinë sepse është një kombëtare surprizë”.
Pas miqësores me kombëtaren e Italisë në nëntor, italianët duket se kanë mësuar më shumë për kuqezinjtë pasi në një sondazh të publikuar në faqen e “Facebook”, “Gazzetta Dello Sport” i pyet lexuesit e saj se sa shanse ka Italia për të siguruar finalet e Botërorit. Shumë prej tyre e cilësojnë Shqipërinë një kundërshtar të rrezikshëm pasi drejtohet nga një trajner ekspert si Gianni De Biasi, madje ka edhe nga ata që kalojnë çdo fantazi duke theksuar se Italia dhe kuqezinjtë do të luftojnë për vendin e parë ndërsa Spanja nuk do t’ia dalë mbanë.
E përditshmja tjetër, “Corriere Dello Sport” e shikon si shumë të rrezikshëm grupin tonë.“Corriere Della Sera” thekson se përveç Spanjës, Italia duhet të bëjë llogaritë edhe me Shqipërinë e drejtuar nga De Biasi.
Ndërkohë edhe “La Repubblica” e cilëson të vështirë Grupin G për faktin se bën pjesë edhe Spanja, por nënvizon se Shqipëria dhe Izraeli nuk duhen nënvlerësuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/