26 korrik 2015 – Teuta ka hyrë tashmë në fazën kulminante të merkatos, teksa ka afruar disa lojtarë cilësorë dhe drejtuesit janë në bisedime edhe me një mesfushor krahu. Nuk bëhet i ditur emri i lojtarit, por sipas presidentit Edmond Hasanbelliu do të jetë një futbollist me eksperiencë dhe cilësi që do të përmbushë kërkesat e trajnerit. Për sa u përket reparteve të tjera, presidenti ka bërë të ditur se skuadra është kompletuar dhe se me ardhjen e Shetës u mbush edhe boshllëku në mbrojtje.

“Presim që ditën e hënë ekipi të rikthehet në Durrës dhe do të kemi një emër konkret të afrimit të radhës”, është shprehur presidenti i Teutës. Ndërkohë, ekipi vazhdon përgatitjet në Bullgari dhe ndeshja e radhës miqësore do të luhet ndaj ekipit të njohur grek, Fc Platanias. Magani dhe stafi teknik po zhvillojnë dy seanca stërvitore me ekipin duke e shfrytëzuar në maksimum këtë fazë stërvitore. Vlen për t’u përmendur që në ekipin helen luajnë shumë lojtarë të huaj si brazilianë, spanjollë dhe kamerunas. Gjithashtu, me këtë skuadër greke luan edhe një shqiptar, mesfushori 17-vjeçar Emiljano Shehu.

Pas rikthimit në Durrës, ekipi i Teutës do të vazhdojë edhe për disa ditë përgatitjet dhe në datën 7 gusht do të marrë pjesë në triangolaren “Egnatia Cup” ku do të jenë edhe Partizani dhe Frozinone e Serisë A. Ndeshjet do të luhen në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” duke filluar nga ora 19:00. Për këtë triangolare, drejtori sportiv i Teutës, Ilir Biturku, u shpreh entuziast gjatë konferencës për shtyp te klubi i Partizanit dy ditë më parë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/