24korrik 2015 – Mali i Zi, ashtu si Kosova ka qenë i pushtuar nga Serbia dhe deri në vitet ’90 ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Në shtetin fqinj jetojnë shumë shqiptarë, në një kohë që malazezët fituan pavarësinë dhe gjithmonë kanë qenë të shtypur nga serbët, ndaj duket se kanë marrë prej shtetit “mëmë” anën më të errët, nacionalizmin. Kjo u shfaq hapur në ndeshjen e djeshme Mlladost-Kukësi të zhvilluar në Podgoricë, ku tregohet edhe një herë se fqinjët e Shqipërisë mbeten ekstremistë. Në minutën e 28-të të ndeshjes nisin në kor thirrjet raciste “Ubi, Ubi Sqiptari” që në shqip do të thotë “Vriti, vriti shqiptarët”. Një kor që edhe pse në përmasa më të vogla me atë që ndodhi në ndeshjen e Kombëtares në Serbi tetorin e kaluar, të rikthen edhe një herë në mendje thirrjet e ultra-nacionalistëve dhe ekstremistëve serbë. Thirrjet e malazezëve kanë zgjatur për dy minuta, pasi Kukësi në fushë shënoi golin e tretë duke u dhënë një “shuplakë” atyre në shkallët e stadiumit. Gjithashtu, në shumë raste, tifozët e Mlladost kanë ngritur tre gishtat lart, një shenjë e çetnikëve serbë e përdorur gjatë gjenocidit ndaj shqiptarëve. Por, tifozët e Kukësit që ishin jo të paktë janë treguar më shumë se europianë duke mos u kundërpërgjigjur për asnjë moment me thirrje raciste. Ata vetëm kanë mbështetur ekipin e zemrës për 90 minuta me këngë. “Ata lëshonin thirrje raciste, ne i përgjigjeshim me gola. Ata ngrinin tre gishtat lart, ne shënonim tre gola”, deklaroi presidenti Gjici pas ndeshjes duke ironizuar veprimet e malazezëve.