24 korrik 2015 – Po mbushen gati tri javë që “Teuta” në basketboll për meshkuj ka nisur fazën përgatitore në prag të sezonit të ri, por me një ndryshim në drejtimin e skuadrës. Shoqata “Goga Basket” që administron tanimë ekipet e basketbollit të qytetit, drejtimin e skuadrës ia ka besuar Besnik  Celës, një emër i njohur ky në basketbollin durrsak, që zëvendëson në këtë detyrë Bekim Abrazhdën. Por skuadra e ka nisur disi në vështirësi këtë fazë përgatitore pasi disa prej lojtarëve që ishin pjesë e “Teutës” sezonin e kaluar nuk i janë bashkuar grupit aktual të drejtuar nga Besnik Cela. Kjo situatë ka krijuar disa vështirësi që stafi drejtues po përpiqet t’i rikuperojë duke plotësuar dita-ditës skuadrën me lojtarë të rinj.

Trajneri Besnik Cela tregon për "Dyrrah"-un eksperiencën e re në drejtimin e Teutës, sfidat që ka përpara dhe objektivat.

Keni tri javë që keni nisur procesin stërvitor në krye të “Teutës”. A keni krijuar një mendim për grupin e basketbollistëve me të cilët po punoni ?

Aktualisht po stërvis një grup prej 14 lojtarësh, ku  gjashtë prej tyre kanë qenë dhe sezonin e kaluar pjesë e Teutës, dhe pjesën tjetër e kemi plotësuar kryesisht me lojtarë të rinj, të talentuar që kërkojnë të afirmohen me Teutën. Janë të gjithë djem të edukuar dhe të disiplinuar që stërviten me mjaft pasion. Ekziston një frymë tepër pozitive brenda grupit, ku më lojtarët më me eksperiencë janë bërë një mbështetje e madhe për më të rinjtë. Jemi ende në hapat e para të stërvitjes, mendoj se kemi shumë punë për të bërë.

Si e pritët ftesën e drejtuesve për të marrë drejtimin e Teutës?

Në fillim të them të drejtën kam hezituar për shkak të gjendjes dhe situatës që po kalonte skuadra, por më pas vendosa ta pranoja këtë ftesë të bërë nga drejtuesit, ku dhe unë doja të kontribuoja sa mundesha për ringritjen e basketbollit në qytetin tim.

Ku e keni përqendruar stërvitjen në këto ditë të para të kësaj faze përgatitore?

E kemi nisur me përgatitjen fizike për të arritur në parametrat e kërkuar fizik duke i marrë maksimumin grupit, por pa lënë pas dore dhe lëvizjet me top, për të kaluar gradualisht në përgatitjen tekniko-taktike.

A do të ketë skuadra mbështetjen e nevojshme financiare për të përballuar normalisht sezonin?

Patjetër. Në dijeninë time janë afruar 5-6 donatorë të cilët do të mbështesin financiarisht skuadrën si në plotësimin e bazës materiale ashtu dhe në paga mujore.

A do të afrojë Teuta për sezonin e ri basketbollistë me eksperiencë?

Për një përfaqësim dinjitoz në kampionat mendoj se skuadra ka nevojë për përforcime. Jemi në pritje të një lojtari mjaft të talentuar dhe me eksperiencë siç është Marsel Aliaj që vjen nga një eksperiencë italiane dhe është i gatshëm të kontribuojë për basketbollin në qytetin e tij. Marsel Aliaj është një basketbollist i kompletuar që do t’i vleje shumë Teutës. Më pas nëse do të jetë e nevojshme mund të afrojmë dhe 2-3 lojtarë të tjerë me eksperiencë.

Cili është objektivi i Teutës në sezonin e ri?

Është shumë shpejt për objektiva konkrete. E thashë edhe më parë jemi ende në hapat e para të këtij procesi stërvitor, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Ajo që mund të them me siguri në këto momente është se Teuta do të qëndrojë në superligë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/