23 korrik 2015 – Mëngjesin e sotëm ka mbërritur në portin e Durrësit kroçera “Thomson Majesty”, me 1568 turistë në bord nga 14 vende të botës ku pjesa më e madhe e tyre jane anglezë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Irlanda, Spanja, Meksika, Greqia, Kroacia, SHBA-ja, Australia, Italia, Malajzia, Zelanda e Re, Hollanda, Franca dhe Ukraina. Pjesë e itenerarit të vizitave veç Durrësit, ku turistët kanë mundësinë për t’u njohur me pasurinë arkelogjike të qytetit, do të jetë Tirana, Kruja dhe Berati.
Anija turistike e mbërritur në portin e Durrësit saktësisht rreth orës 07:46 të mëngjesit u ankorua në kalatën nr. 5 të portit.
Kroçera është pjesë e një turi 2-javor, që ka ndaluar në disa porte të Adriatikut dhe Jonit. “Thomson Majesty” vjen nga Tivari (Mali i Zi) dhe mbrëmjen e së enjtes do të lundrojë drejt Korfuzit (Greqi), ku përfundon edhe turi turistik. "Thomson Majesty" me gjatësi 207 metra dhe gjërësi 28 metra arrin shpejtësinë 18 milje/orë.
Kjo është kroçera e katërt e këtij sezoni përfshirë edhe dy velierë luksozë që janë ankoruar tri javë më parë. Deri në fund të këtij sezoni turistik, në Durrës priten 11 anije turistike me afro 10 mijë turistë gjithsej.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/