22 korrik 2015 – 21 korriku i vitit 2015 do të jetë gjithmonë një ditë që do mbahet mend gjatë nga Rei Manaj. Mesditën e së martës, sulmuesi shqiptar firmosi zyrtarisht kontratën me Interin dhe tashmë mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës një futbollist i skuadrës zikaltër.

Talenti 18-vjeçar firmosi një kontratë afatgjatë me Interin që për të marrë shërbimet e Manajt arriti të mposhte konkurrencën e Juventusit. Nuk mund ta fshihte gëzimin për këtë hap të madh në karrierë as vetë Rei, i cili në profilin e tij në rrjetin social Facebook, shprehu gjithë emocionet e tij që është bërë pjesë e një klubi të madh si Interi.

"Tashmë që ka ardhur edhe zyrtarizimi mund ta them me plot gojën, që jam një futbollist i Interit.

Falënderoj familjen time në radhë të parë, menaxherin tim por edhe të gjithë ata që më kanë mbështetur. Falënderoj edhe Cremonesen, por mbi të gjitha tifozët e saj. Shpresoj t'ju shikoj sa më lart të jetë e mundur sepse nuk meritoni të luani në atë kategori. Forza Inter". 

Me këto fjalë përfundon shkrimi i Manajt në Facebook. Futbollisti i kombëtares Shpresa të Shqipërisë fillimisht do të bashkohet me skuadrën e të rinjve të Interit që luan në kampionatin Primavera.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/