22 korrik 2015 – Arjan Sheta është blerja më e re e Teutës. Klubi durrsak ka siguruar shërbimet e mbrojtësit i cili është bindur për t'u rikthyer të luajë në 'Niko Dovana' pas një bisede me presidentin Edmond Hasanbelliu duke rënë dakord për një kontratë një vjecare me opsionin e rinovimit.
Sheta në këtë mënyrë i thotë lamtumirë Laçit ku luajti sezonin e kaluar duke u konfirmuar si një ndër titullarët fiks të formacionit kurbinas u u aktivizua plot 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar gjatë të cilit shënoi edhe 3 gola nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu. Për Shetën bëhet fjalë për një rikthim tek Teuta ku ka luajtur gjatë sezoneve 2010-2013.
Formacioni bregdetar është në fakt edhe skuadra me të cilën mbrojtësi ka luajtur më shumë ndeshje përgjatë gjithë karrierës, plot 71, numër ky i destinuar për tu rritur me sezonin e ardhshëm.
Teuta që po zhvillon fazën përgatitore në Bullgari, përveç tij deri më tani ka afruar në këtë merkato verore edhe sulmuesin Egzon Gashi i transferuar nga Ferronikeli si dhe Emiljano Mustën e Artur Maganin. Gjithsesi merkato për Teutën ende nuk ka mbaruar pasi drejtuesit janë në kërkim të një mesfushori të krahut të djathtë si dhe për një tjetër sulmues.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/