21korrik 2015 – Teuta zhvilloi miqësoren e dytë në tokën bullgare. Durrsakët kanë barazuar 0-0 ndaj skuadrës maqedonase të Horizont Turnovos. Ndeshja ka qenë e luftuar nga të dyja ekipet, ndërsa “djemtë e detit” kanë zhvilluar paraqitje mjaft pozitive, duke krijuar raste për shënim, por pa mundur t’i konkretizojnë me sukses. Për Teutën ka luajtur nga minuta e parë edhe maqedonasi Filip Timov. Mesfushori me tipare sulmuese është afruar në formë prove te durrsakët, ndërsa trajneri Magani i ka dhënë mundësinë të tregojë veten që nga fillimi i sfidës. As në pjesën e dytë, Teuta nuk ka mundur të zhbllokojë rezultatin, pavarësisht se ka qenë më superiore se kundërshtari në fushën e lojës.

Zëvendësimet e shumta në këtë fraksion loje kanë bërë që edhe ritmi i lojës të mos jetë i njëjtë me atë të 45 minutave të para. Megjithatë, pavarësisht rezultatit 0-0, e rëndësishme është që “djemtë e detit” janë duke dhënë rezultatet e kërkuara nga trajneri Magani në këtë fazë përgatitore, që skuadra po zhvillon prej disa ditësh në Bullgari. Kjo ishte miqësorja e dytë që Teuta zhvillon që pas nisjes nga Durrësi drejt Banksos. Në takimin e parë u mposht nga Skoda Xanthi me rezultatin e ngushtë 1-2. Ndërkohë që sipas asaj që mësohet nga kampi i Teutës, në Bullgari, stafi teknik ka programuar edhe një tjetër ndeshje testuese, të cilën do ta zhvillojë nesër ndaj ekipit bullgar Pirini Razlog në orën 18.00.